22 vjet pa doajenin dhe korifeun emblematik të gazetarisë

- Bota Sot

22 vjet pa doajenin dhe korifeun emblematik të gazetarisë

Dhjetë (10) dhjetori i vitit 2025 shënon 22-vjetorin e datëvdekjes së doajenit dhe korifeut të gazetarisë së mirëfilltë kosovare, Jusuf Ferizi (26.06.1939 – 10.12.2003).

Ai ishte dhe mbetet njeriu i profesionit të gazetarit, redaktorit, komentatorit, reporterit, publicistit dhe korrespondentit në gazetën “Rilindja” (1963–1973), si dhe në Radiotelevizionin e Prishtinës (RTVP) (1974 – 5 korrik 1990).

Pas mbylljes me dhunë të këtij mediumi të vetëm në gjuhën shqipe në Kosovë nga forcat okupuese fashiste serbo-sllave më 5 korrik 1990, Jusufi, bashkë me kolegët Ali Alaj, Selim Arifi dhe Lekë Musolli, “emigroi” në Zagreb dhe më 10 korrik botoi numrin e parë të gazetës informative “DIELLI” – Tribunë e gazetarëve të pavarur të Kosovës, kryeredaktor i së cilës ishte vetë Jusufi. Por Jusufi me kolegët e tij të lartpërmendur nuk u ndalën vetëm me kaq. Ata vazhduan emigrimin në Vjenë, ku në sheshin “Hofburg” u hodhën në grevë urie kundër okupimit serb të RTVP-së, ndërsa grevën e dytë e zhvilluan në gusht, para selisë së OKB-së në Nju Jork. Organizimi i këtyre grevave kishte për qëllim të sensibilizonte opinionin botëror se në Kosovë ishte mbytur me dhunë informimi dhe fjala e lirë në gjuhën shqipe në RTVP.

Jusufi ishte dhe mbetet një emër i papërsëritshëm në gazetarinë, publicistikën dhe veprimtarinë kombëtare shqiptare. Ai ishte krenaria e familjes dhe krenaria kombëtare.

“Jusufit ia kam lakmi lapsin, penën, fjalën dhe guximin.” Kështu pati thënë redaktori i gazetës “Bota Sot” (kërkoj ndjesë, nuk më kujtohet emri) në akademinë përkujtimore kushtuar Jusuf Ferizit, të mbajtur më 30 shtator 2015 në Pejë. Pra, redaktori nuk ka gabuar aspak me një cilësim të tillë për Jusufin, i cili vite me radhë, sa ishte gjallë, ka shkruar dhe bashkëpunuar me gazetën kombëtare “Bota Sot”.

Kujtimi për të do të mbetet i paharueshëm.

Zoti e shpërbleftë me parajsë. I qoftë i lehtë dheu që e lindi e e rriti.



Lexoni të gjitha në Bota Sot