Vdekja nga 3 metra lartësi, Prokuroria demanton versionin e Policisë: Viktima ishte familjar, vetëm po mbikëqyrte punimet

- Bota Sot

Vdekja nga 3 metra lartësi, Prokuroria demanton versionin e Policisë: Viktima ishte familjar, vetëm po mbikëqyrte punimet

Një person ka humbur jetën të martën në fshatin Graboc të Pejës, pasi është rrëzuar nga një lartësi prej rreth tre metrash derisa ndodhej në një shtëpi ku po kryheshin punime.

Sipas raportit fillestar 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima mashkull kosovar, ishte duke punuar në objekt kur ra nga lartësia dhe si pasojë e lëndimeve të marra ndërroi jetë. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Mirëpo, në emisionin “Kosova Live” në T7, Prokuroria Themelore në Pejë ka demantuar informacionin se viktima ishte punëtor.

Zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikçi, tha për T7 se personi i ndjerë ishte vëllai i pronarit të shtëpisë, i cili vetëm po i mbikëqyrte punimet dhe nuk ishte i angazhuar si punëtor ndërtimi.

“Bëhet fjalë për vëllain e pronarit të shtëpisë, i cili aksidentalisht është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. Fillimisht është dërguar për trajtim mjekësor, por si pasojë e lëndimeve ka humbur jetën. Në vendngjarje ka dalë Policia e Kosovës dhe janë ndërmarrë veprat e nevojshme hetimore. Sqarojmë se i njëjti nuk ka qenë punëtor, por familjar”, deklaroi Nikçi.

Ai shtoi se provat e siguruara nga Policia janë duke u analizuar për të sqaruar rrethanat e plota të rastit.

“Ne si Prokurori trajtojmë rastet kur ka përgjegjësi penale. Në këtë rast kemi të bëjmë me një incident fatal ku jetën e humbi aksidentalisht një familjar”, theksoi ai.

Ndërkohë, Prokuroria bëri një apel për siguri në punë, duke theksuar rëndësinë e pajisjes së punëtorëve me mjete mbrojtëse, sidomos në ndërtime me lartësi.



Lexoni të gjitha në Bota Sot