Gerrard reagon për çështjen Salah - Liverpool

- Bota Sot

Gerrard reagon për çështjen Salah - Liverpool

Legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, tha se klubi ka ende nevojë për Mohamed Salah, edhe pse sulmuesi egjiptian shpërtheu publikisht ndaj trajnerit Arne Slot dhe drejtuesve.

Salah u la jashtë skuadrës që fitoi 1-0 kundër Interit në Ligën e Kampionëve, vetëm pak ditë pasi u la në stol ndaj Leeds, gjë që e shtyu të deklaronte se “dikush nuk më do në klub”.

Gerrard tha se e kupton frustrimin e tij, por kërkoi qetësi. “Ai është shumë i mërzitur që nuk po luan, e respektoj këtë. Por disa replika për hedhjen e njerëzve nën autobus ishin të gabuara.

Duhet të kthehemi prapa dhe ta zgjidhim me menaxherin,” u shpreh ai. Ai kujtoi se situata të tilla kanë ndodhur edhe më parë, duke përmendur konfliktet e Luis Suarezit dhe madje edhe të vetat: “Askush nuk është perfekt. Të gjithë kemi pasur momente emocionale.”

Deklaratat e Salahut kanë hapur diskutime për një largim të mundshëm në janar, veçanërisht pasi Arabia Saudite po tregoi interes të fortë.

Përgjatë kësaj kohe, 33-vjeçari publikoi një foto duke u stërvitur vetëm në qendrën e peshave të klubit, duke shtuar spekulimet.

Megjithatë, Gerrard beson se sulmuesi duhet të mbetet në Anfield.

“Liverpoolit i duhet Salah. Ai është lojtari më i mirë, golashënuesi më i mirë dhe mund t’i ndihmojë të dalin nga kjo situatë,” tha ai. Trajneri Arne Slot kërkoi të mos fliste për konfliktin, duke thënë se “ata që janë këtu, meritojnë të gjitha meritat” pas fitores në “San Siro”.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa Liverpooli gjendet në vendin e 10-të dhe po përballet me një sezon të vështirë si në rezultatet ashtu edhe në marrëdhëniet brenda skuadrës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot