Demir Imeri ka vendosur të ndërpresë para kohe bashkëpunimin me Rabotniçkin, te e cila skuadër u transferua shtatorin e këtij viti nga rradhët e FC Shkupit. Imeri brenda kësaj periudhe 3 mujore me “romantikët” regjistroi 12 paraqitje, 4 gola dhe 2 asistime, duke qenë një ndër futbollistët më të dalluar.
Megjithatë rezultatet dhe pozicioni në renditje i skuadrës nga “Parku i Qytetit”, bënë që ai të mos vazhdonte bashkëpunimin me këtë skuadër, që në pranverë do të luftojë për mbijetesë.
Rabotniçki në 16 xhiro grumbulloi vetëm 7 pikë, duke u renditur vetëm në pozitën e parafundit.
Për Imerin ishte kjo hera e dytë që kishte veshur fanellën e Rabotniçkit, për të cilën skuadër numëron gjithsej 33 ndeshje dhe 6 gola të shënuar.
E ardhmja e tij pritet të jetë larg Maqedonisë, teksa “infOSport.mk” mëson se si destinacione të tij të rradhës mund të jenë, Tajlanda Inodonezia, apo edhe Kirgistani, edhe pse ekziston mundësia që i njëjti për herë të parë në karrierën e tij të luaj në Kosovë.
Kujtojmë, Imeri ka bërë edhe karrierë ndërkombëtare, duke luajtur në Finlandë, Ukrainë, Maltë, Shqipëri, Kazakistan dhe Uzbekistan.