Interi i Chivu në krizë në ndeshjet e mëdha

- Bota Sot

Interi i Chivu në krizë në ndeshjet e mëdha

Interi i Cristian Chivu po has vështirësi serioze këtë sezon sa herë përballet me kundërshtarë të nivelit të lartë. Humbja e fundit 0-1 ndaj Liverpoolit në “San Siro”, në raundin e gjashtë të Champions League, vulosi edhe një herë një trend shqetësues: zikaltrit po shemben në ‘Big Match’-e.

Edhe pse Interi nuk e meritonte disfatën ndaj anglezëve, mes polemikave për vendimet arbitrale dhe rasteve të humbura, rezultati final tregon një tjetër humbje, e dyta radhazi në Europë. Por panorama bëhet edhe më alarmante nëse shikojmë ecurinë e skuadrës që nga fillimi i sezonit: pesë humbje në përballjet direkte, mes Serisë A dhe Champions League.

Interi ka pësuar pesë disfata në ndeshjet e mëdha:

Juventus – Inter 4-3 (3° javë, gol vendimtar i Adzic në 91’)

Napoli – Inter 3-1 (8° javë, në “Maradona”)

Inter – Milan 0-1 (12° javë, derbi i humbur në “San Siro”)

Atletico Madrid – Inter 1-0 (goli në minutën 93’)

Inter – Liverpool 0-1 (në Champions, humbje e dytë radhazi)

Rezultate të ndryshme, por me një model të qartë: Interi i Chivu nuk po reagon dot në momentet e mëdha, duke humbur pikë dhe reputacion.

Në total, zikaltrit kanë marrë vetëm një fitore në ‘Big Match’-e këtë sezon: Roma – Inter 0-1 në transfertë më 18 tetor.

Një bilanc i varfër për një skuadër që synon titullin në Serie A dhe kalimin e raundeve në Champions League. Chivu duhet të gjejë urgjentisht zgjidhjen, sepse tendenca aktuale është alarmante dhe rrezikon t’i kushtojë shumë Interit në objektivat sezonalë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot