Elseid Hysaj ka folur së fundmi duke u ndalur te arritja e Kombëtares në fazën “play off” për kualifikimin në Botërorin 2026.
“Këtë vit besoj se mund të ketë qenë më i miri me Kombëtaren vërtetë. Ishte grup shumë i fortë, besoj se shumica e gjithë tifozëve kanë menduar se ne ndoshta nuk do e kalonim. Ia dolëm të jemi në vendin e dytë.
Më vjen keq se vitet përpara në Botëror kanë ikur dy skuadra, këtë vit ra që vendi i dytë duhet të bëjë ‘play off’, por gjithsesi vit shumë i mirë.
Ndeshja me Serbinë këtu në Shqipëri, treguam karakter. Ishte shumë ndeshje e bukur që mund ta fitonim.
Dhe nga aty besuam që ndeshjen e radhës në Shqipëri do e kishim vendimtare për ne.
Kishim mundësi për fitore sepse ndeshja në Shqipëri ishte e luajtur mirë. Morëm besim tek ajo ndeshja, na ndryshoi mendimin për kualifikimin.
Polonia është shumë e fortë, mendoja një skuadër më të lehtë. Futbolli është i bukur se mund të kesh ndeshje të vështira dhe t’i fitosh. Mjafton një minutë që të gabosh, të ndryshon jetën, ose fiton ndeshjen dhe mund të kualifikohesh.
Kemi luajtur në Poloni shumë ndeshje, kemi pasur dhe humbje. Nëse luajmë si në ndeshjet e fundit, si me Anglinë dhe Serbinë atje, besoj mund të kemi mundësinë për kualifikim.
Nuk e di kë preferoj. Si Ukraina dhe Suedia janë skuadra të forta. Suedia ka pasur disa lëkundje tani, por skuadër e fortë me emra. Suedinë do kisha më shumë qejf”, u shpreh Hysaj