Manchester City ka marrë fitore me përmbysje ndaj Real Madridit 2-1 në një ndeshje spektakolare në Ligën e Kampionëve.
Pep Guardiola foli për “TNT Sports” pas fitores 2-1 të Manchester Cityt ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabeu”, një triumf i rëndësishëm në një nga stadiumet më të vështira në botë.
“Mund të ishte më mirë. Shumë e vështirë këtu. Katër ose pesë lojtarë luajtën për herë të parë në këtë stadium. Duke fituar këtu, duhet të jemi të lumtur, veçanërisht për sa i përket pikëve.
Kemi 13 dhe tani gjithçka është në duart tona për të përfunduar mes tetë ekipeve të para. Ky është objektivi. Të fitosh këtu, sidomos pas Leverkusenit, është shumë mirë", tha Guardiola.
Trajneri spanjoll vlerësoi paraqitjen e lojtarëve të rinj në këtë sfidë.
“Matheus Nunes ishte shumë i mirë. Mbrojtësit e krahut po ashtu. Rayan Cherki luajti për herë të parë këtu. Nico O’Reilly pati një performancë të jashtëzakonshme.
Jeremy Doku na ndihmoi shumë me energjinë dhe lëvizjet e tij. E nisëm me një gabim, por prisja që ata të bënin presion më të lartë. Në fakt, ranë më poshtë dhe për ne u bë më e vështirë, por e pranuam këtë ritëm”, theksoi tekniku i Cityt.