Dhuratat zyrtare të marra gjatë tre viteve të fundit nga Kryeministrja italiane Giorgia Meloni do të dalin në ankand, ndërsa të ardhurat nga shitja e tyre do t’u dhurohen organizatave jofitimprurëse dhe nismave humanitare. Vendimi është marrë nga Sekretari i Përgjithshëm i Palazzo Chigi dhe është formalizuar së fundmi me një rezolutë zyrtare.
Në listën e dhuratave që Meloni ka marrë gjatë vizitave të saj zyrtare në Itali dhe jashtë vendit, rreth 270 sende, sipas dokumentit të paraqitur në Dhomën e Deputetëve më 3 maj, përfshihen objekte të pazakonta dhe me vlerë, nga set bizhuterish të marra nga Libia, tek këpucë blu prej lëkure pitoni me taka të arta, e deri tek një tabletë e dhuruar nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sipas ligjit italian, dhuratat me vlerë mbi 300 euro nuk mund të mbahen nga zyrtarët shtetërorë dhe ruhen në kasafortën e institucioneve deri në vendimin përfundimtar. Në tetor, Palazzo Chigi urdhëroi shitjen e tyre dhe tashmë procesi i ankandit i është besuar kompanisë Bertolami Fine Art, e cila ka fituar kontratën prej 40 mijë eurosh dhe do të mbajë 5% të të ardhurave si komision.
Lista përfundimtare e objekteve që do të dalin në ankand nuk është publikuar ende, ndërsa shtëpia e ankandeve pritet të bëjë vlerësimin e tyre individual në ditët në vijim, transmeton RTSH.
Ky vendim konsiderohet një hap drejt transparencës dhe menaxhimit të përgjegjshëm të dhuratave zyrtare, ndërsa pritet të ngjallë interes të madh publik dhe mediatik në Itali.