“Nuk është trajneri”, Benzema flet për problemin e madh që ka Real Madridi

- Bota Sot

“Nuk është trajneri”, Benzema flet për problemin e madh që ka Real Madridi

Karim Benzema, i cili po stërvitet në Dubai me Al-Ittihad pas një pauze të gjatë, ka analizuar në një intervistë për L’Equipe krizën aktuale të Real Madridit. Ish-kapiteni i madrilenëve thotë se skuadra ka shumë cilësi, por po vuan nga mungesa e lidhjes mes yjeve të saj. Ai thekson se problemi qëndron te lojtarët dhe jo te trajneri.

“Ajo që u mungon është thjesht një lidhje. Bellingham duhet të kuptojë se është mesfushor sulmues, Mbappé është golashënuesi, Vinicius është sulmues i krahut të majtë. Për sa kohë që të gjithë e dinë rolin e tyre, mjafton kaq”, tha ai.

Sipas Benzemës, egoja në fushë është një tjetër problem i madh. Ai thekson se lojtari duhet të pranojë kur një shok skuadre është më i mirë.

“Secili dëshiron të jetë më i miri, kështu që është pak e komplikuar. Nëse shoku yt shënon më shumë gola, duhet ta pranosh”, shpjegon ai. Benzema beson gjithashtu se mungon një figurë e fortë me përvojë në dhomat e zhveshjes që t’i drejtojë yjet e rinj. “Nuk ka më një lojtar që t’u thotë Bellinghamit, Mbappés ose Viniciusit se po bëjnë diçka gabim. Lojtarët sot as nuk flasin më me njëri-tjetrin”, shton francezi.

Ai i kërkon Mbappés të marrë më shumë përgjegjësi dhe të bëhet lider i sulmit madrilen. “Real Madridi e nënshkroi për momentet kyçe. Ai duhet ta udhëheqë ekipin drejt titujve. Ka aftësinë ta bëjë këtë”, tha Benzema. Ish-ylli i Blancos përmendi edhe rëndësinë e të shënuarit në ndeshje të rëndësishme, dhe jo vetëm kundër kundërshtarëve më të dobët, duke theksuar presionin që sjell madhësia e klubit.

Në fund, Benzema foli edhe për mundësinë e pjesëmarrjes në Botëror me Francën, duke e lënë të hapur derën, si dhe për Zinedine Zidanen, për të cilin u shpreh: “Kudo që të shkojë, ai fiton. Zizou është trajneri numër një”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot