Legjenda e Manchester United, Nani, ka inkurajuar klubin që të transferojë yllin e Bournemouth, Antoine Semenyo, i cili po konsiderohet një nga talentet më të spikatura të Premier League.
Sipas medieve britanike, sulmuesi ganez ka klauzolë lirimi prej 65 milionë paundësh në kontratën e nënshkruar këtë verë, ndërsa disa skuadra janë të gatshme të hyjnë në garë.
Semenyo ka shkëlqyer që nga sezoni i kaluar, duke shënuar 17 gola dhe duke dhënë 8 asistime, formë që ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha.
Duke folur për “Metro”, Nani tha se United duhet të blejë ganezin.
“Të gjithë lojtarët që kanë shpejtësi, aftësi driblimesh, që mund të shtënë, të shënojnë, të asistojnë dhe të krijojnë në moment, i përshtaten Manchester Unitedit. Ky është tipi i futbollistit që tifozët duan të shohin”, tha Nani.
Megjithatë, ish-sulmuesi i ‘Djajve të kuq’ paralajmëron se kalimi te United sjell një presion krejt tjetër.
“Kur lojtarët vijnë te Manchester United, gjithçka ndryshon. Është një ambient tjetër, presion ndryshe, mentalitet ndryshe. Ata duhet të përshtaten me një nivel krejtësisht tjetër”, theksoi Nani.
Me afatin kalimtar të janarit që po afron, pritet të shihet nëse drejtuesit e United do të ndjekin këshillën e një prej ikonave të tyre.