Arsenali ështe e vetm ja skuadër në Ligën e Kampionëve, me të gjitha fitore.
Trajneri Arteta është i bindur se në këtë mënyrë, skuadra e tij po tregon forcën e vërtetë. Ai tha se fitorja 3-0 ndaj Klab Bryzh të mërkurën ishte reagimi i përkryer i skuadrës ndaj humbjes së fundjavës në Premier Ligë, 1-2 ndaj Aston Vilas.
Tripikëshi i radhës i mban “Topçinjtë” në krye të renditjes, me 18 pikë të plota.
“Kjo është ajo që dëshiron menjëherë pas një humbjeje: Të reagosh dhe të fitosh ndeshjen tjetër. Mënyra se si e realizuam këtë në Champions ishte mjaft pozitive, veçanërisht kur humbëm përsëri dy lojtarë të tjerë – tha Arteta -. Përsëri, pavarësisht dëmtimeve, treguam se sa të qëndrueshëm jemi. Standardet që i vendosëm vetes dhe kapaciteti që ka skuadra për të fituar në mënyra të ndryshme është e mahnitshme.
Ndeshja e fituar mendoj se ishte një shembull i mirë i kësaj”, shtoi trajneri Arteta. Gjithashtu, më tej, trajneri spanjoll komentoi sa i takon lojtarëve të rikthyer nga dëmtimet:
“Jam shumë i lumtur sepse tani kemi disa lojtarë përsëri në vijën e parë dhe mund të shihni sa më mirë kemi bërë. Ndihem i lumtur që u rikthye Gabriel Jesus, lojtar me cilësi. Kjo është diçka që ne si skuadër kemi nevojë dhe do të na bëjë më të mirë”, pranoi trajneri, skuadra e të cilit kryeson si në kampionatin anglez, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve, ku pas 6 ndeshjeve ka realizuar jo vetëm po aq fitore, por edhe ka pësur më pak nga të gjithë: vetëm 1 gol.
Pa harruar që ka shënuar edhe 17, përmes një sulmi që ka parë të alternohen disa elementë. Besimplotë shfaqet edhe Noni Madueke, i cili shënoi dy gola gjatë fitores së arritur të mërkurën përballë Bryzhit. Lojtari i shpallur si më i miri i takimit, u paraqit në intervistë pas ndeshjes, duke thënë se skuadra e tij mund të shpallet kampion në fund të sezonit. E jo vetëm…!
“E kam një ndjenjë që ne mund të fitojmë Ligën e Kampionëve.
Dhe jo vetëm, kam një ndjenjë që mund ta fitojmë edhe Premier Ligën”, u shpreh Madueke për TNT Sports. Kujtojmë që Arsenali në gjashtë ndeshje ka shënuar gjashtë fitore dhe është në pozitën e parë me 18 pikë. Me dy ndeshje të mbetura për t’u luajtur – kundër Kairat dhe Inter – Arsenali vulosi një natë autoriteti, pjekurie dhe finalizimi të saktë.