“Tether”, aksionari minoritar i Juventusit, ka njoftuar se ka paraqitur një ofertë për të blerë paketën shumicë të aksioneve të “Exorit” në klub dhe se synon të blejë edhe aksionet e mbetura për të marrë pronësinë e plotë.
“Tether”, një stablecoin kriptovalutor, bleu për herë të parë një paketë të vogël aksionesh te Juventusi në shkurt 2025.
CEO Paolo Ardoino është tifoz i përjetshëm i bardhezinjve.
Në prill, kompania rriti pjesëmarrjen e saj, duke arritur 10.12% të aksioneve dhe 6.18% të të drejtave të votës.
Të premten në mbrëmje, “Tether” njoftoi se ka paraqitur një “propozim detyrues me pagesë të plotë në para” për të blerë aksionet e “Exorit”, holdingu i kontrolluar nga familja Agnelli, e cila ka zotëruar Juventusin që nga viti 1923. Aktualisht, “Exor” mban 65.4% të aksioneve të klubit.
Sipas “Calcio e Finanza”, “Tether” ka ofruar 2.66 euro për aksion, që korrespondon me rreth 1.1 miliardë euro gjithsej.
Kompania synon të bëjë edhe një ofertë publike për aksionet e mbetura me të njëjtin çmim.
Në deklaratë thuhet: “’Tether’ ka paraqitur një propozim detyrues, të paguar tërësisht në para, për të blerë të gjithë paketën e ‘Exor’ në Juventus Football Club. Me miratimet rregullatore, ‘Tether’ synon të bëjë një ofertë publike edhe për aksionet e mbetura, e financuar plotësisht me kapitalin e saj.”
CEO Paolo Ardoino shprehu emocionin personal pas ofertës: “Juventusi ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime. Kam mësuar angazhim, përgjegjësi dhe qëndrueshmëri duke e parë këtë klub. Ne duam të investojmë me respekt dhe vizion afatgjatë, sepse Juventusi është simbol i ekselencës italiane.”
“Tether” theksoi më tej se, nëse marrëveshja finalizohet, është gati të investojë 1 miliard euro për zhvillimin dhe mbështetjen e klubit, duke premtuar stabilitet financiar dhe plane afatgjata.
Transaksioni mbetet i varur nga pranimi i “Exorit” dhe aprovimet rregullatore, ndërsa përditësime të tjera do të jepen sipas legjislacionit në fuqi.