Napoli godet për të ardhmen

- Bota Sot

Napoli godet për të ardhmen

Napoli vazhdon politikën e investimeve te të rinjtë dhe këtë herë ka arritur një goditje të rëndësishme në perspektivë. Klubi i drejtuar nga Antonio Conte ka siguruar shërbimet e Milton Pereyra-s, sulmues i Boca Juniors, lindur në vitin 2008, një nga talentet më premtues të futbollit argjentinas të këtyre viteve.

Sipas medieve argjentinase, transferimi është praktikisht i mbyllur. Lojtari do të lërë Buenos Aires-in më 28 dhjetor, për t’iu bashkuar sektorit të të rinjve të Napolit. Te Boca, lajmi ka ardhur si surprizë, ndërsa drejtuesit Xeneize kanë pranuar se nuk kanë mundur ta bllokojnë lëvizjen:

“Janë vendime familjare”, është shprehur një burim i brendshëm. Situatë e ngjashme me rastin e Francisco Baridós, i cili u largua në janar 2024 drejt Juventusit dhe që sot është pjesë e Napolit.

Kush është Milton Pereyra?

Sulmuesi i ri ka lindur më 13 maj 2008 dhe është rritur te Boca që prej moshës shtatëvjeçare. Ai është një qendërsulmues 1.76 metra i gjatë, i dalluar në kampionatet e moshave me aftësinë për të luajtur me shpinë nga porta dhe me instiktin e një “bomberi” tipik brenda zonës.

Karakteristikat kryesore:

Rolet: qendërsulmues klasik.

Idhulli: Lionel Messi, të cilin Pereyra e cilëson “më i miri i të gjitha kohërave”.

Ambicia: të arrijë në futbollin profesionist dhe një ditë të luajë në Kupën e Botës.

Pereyra ka treguar edhe vështirësitë e para të kalimit nga futbolli 7x7 te roli i “numrit 9”: “Në fillim nuk kuptoja asgjë. Më thoshin të luaja si qendërsulmues, por nuk dija ku të pozicionohesha.

Pastaj u mësova dhe mbeta aty.”

Me këtë lëvizje, Napoli siguron një tjetër talent të rëndësishëm nga Amerika e Jugut, duke i paraprirë konkurrencës dhe duke e futur menjëherë në një projekt afatgjatë brenda akademisë së vet. Klubi synon që Pereyra do të zhvillohet gradualisht, me objektivin për ta parë në të ardhmen si pjesë të skuadrës së parë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot