Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, e cilësoi fitoren 2-1 ndaj Flamurtarit si një sfidë të vështirë për shkak të ndryshimeve të shumta në radhët e ekipit. “I kam premtuar tre fitoret dhe me këta çuna i mbajmë premtimet.
Sot ishte e vështirë, pasi kishim tre zëvendësime të detyruara në formacion,” u shpreh Kërnaja pas ndeshjes.
Trajneri theksoi paraqitjen e lojtarëve të rinj dhe atyre që riktheheshin pas mungesave: “Jata ka vetëm 19 vjeç dhe luajti jashtëzakonisht mirë, ndërsa Sembene nuk kishte ritëm, duke ardhur pas pesë javësh pushim.
Shanaj rikthehet si titullar pas një viti dhe përsëri tregoi cilësi. Por djemtë e morën veten dhe ia arritëm të fitonim.”
Kërnaja pranoi se skuadra i la ndeshjes zotërimin e topit Flamurtarit, duke adaptuar strategjinë: “Menduam një mënyrë tjetër, sidomos në mesfushë për presing.
Fillimisht nuk ishim korrekt për mungesën e tre numrave 6, por më pas morëm gjerësinë dhe provuam me anësorët.
Kështu erdhi edhe goli nga penalltia, e cila nuk erdhi nga aksioni i kundërshtarit.”
Trajneri nënvizoi rëndësinë e grupit të madh të lojtarëve dhe shpirtit të garës: “Edhe ata që nuk luajtën sot, do të japin njëlloj te Partizani B në Kategorinë e Parë. Nuk e quajmë Partizani A apo B, të dy kanë objektivat njëlloj.”
Me këtë fitore, Partizani shënon tri fitore radhazi dhe ngjitet në kuotën e 23 pikëve, duke treguar vazhdimësinë dhe karakterin e skuadrës, edhe pse përballë kishte sfida me mungesa dhe rikthime lojtarësh.