Estonia ka filluar ngritjen e bunkerëve të parë prej betoni përgjatë kufirit të saj juglindor me Rusinë, duke filluar një fazë kyçe të Linjës së Mbrojtjes Baltike. Edhe pse projekti po vonohet, qëllimi është të ngrihen 28 nga 600 bunkerët e planifikuar deri në fund të këtij viti.
Sipas Krismar Rosin, një zëdhënës i Qendrës Estoneze për Investime në Mbrojtje, kompanitë nuk mund të vlerësonin me saktësi kostot pa ditur vendndodhjet e sakta, të cilat kanë mbetur sekrete për arsye sigurie , raporton Defense News.
Problemi u zgjidh duke nisur një projekt pilot për 28 bunkerë, me vendndodhje të përafërta të zbuluara për ofertuesit për të marrë vlerësime realiste. Një tender për 572 bunkerët e mbetur pritet deri në fund të vitit, transmeton KosovaPress.
Bunkerët, secili me një sipërfaqe rreth 35 metra katrorë, janë projektuar për ti bërë ballë goditjeve nga predhat e artilerisë 152 milimetra. Ato janë vetëm një element i një sistemi mbrojtës të shtresuar që synon të ndalojë një pushtim të mundshëm rus.
Pengesa të tjera, të tilla si tela gjemborë dhe iriqë antitank të njohur si "dhëmbët e dragoit", tashmë janë dorëzuar dhe ruajtur, duke pritur të instalohen nëse është e nevojshme.
Qendra Estoneze e Investimeve në Mbrojtje tha të premten se bunkerët janë "aktualisht në fazën e instalimit, por ende nuk janë plotësisht gati".
"Po e ndërtojmë në kohë paqeje, që do të thotë se duhet të zbatojmë ligjin e kohës së paqes", tha Rosin, duke vënë në dukje se në kushte lufte, inxhinierët ushtarakë mund të gërmojnë llogore antitank "shpejt, ndoshta brenda pak orësh".
Kompleksiteti rritet nga nevoja për të koordinuar planet e Gardës Kufitare me planin e bunkerit. Për shembull, nga 3.4 kilometrat e planifikuar të llogores antitank për testim, vetëm 500 metra janë përfunduar, pasi është duke pritur miratimin nga Garda Kufitare.
Rosin sqaroi gjithashtu se sistemi i zbulimit të dronëve i instaluar nga Roja Kufitare, nuk është pjesë e këtij projekti, por është një masë e veçantë sigurie.