Industria e Hollivudit po përjeton një nga momentet më të vështira të historisë së saj, teksa një prej studiove më ikonike, Warner Bros, ndodhet në prag të shpërbërjes ose shitjes. Rënia e gjigantit 102-vjeçar ka hapur një betejë të ashpër mes Netflix dhe Paramount Skydance për blerjen e aseteve kryesore, duke shtuar pasigurinë dhe frikën për mijëra profesionistë të industrisë së filmit dhe televizionit.
Warner Bros, studio që i dha botës filma legjendarë si Casablanca, Goodfellas, Batman dhe Harry Potter, është goditur rëndë nga një krizë e zgjatur prodhimi, e thelluar pas pandemisë dhe grevave të aktorëve dhe skenaristëve në vitin 2023. Rënia e prodhimit nuk u rikuperua më, duke çuar në mbyllje kompanish dhe shkurtime masive të vendeve të punës.
Punonjësit e industrisë e shohin situatën si një zgjedhje mes dy “të këqijave”: nga njëra anë Netflix, gjiganti teknologjik që akuzohet se ka dobësuar kinematë tradicionale me strategjinë “streaming-first”, dhe nga ana tjetër Paramount Skydance, e mbështetur nga fonde të Lindjes së Mesme dhe emra të afërt me presidentin amerikan Donald Trump, çka ka ngritur shqetësime për ndikim politik dhe censurë.
Shumë nga kritikat drejtohen ndaj drejtorit ekzekutiv të Warner Bros Discovery, David Zaslav, i cili akuzohet se e ka çuar studion drejt rrënimit, ndërsa vetë ka përfituar paga rekord.
Sipas punonjësve, humbja e Warner Bros si studio e pavarur do të thotë më pak mundësi për projekte të reja dhe më shumë papunësi në një industri tashmë të tkurrur.
Megjithatë, për shumë krijues, beteja mes blerësve është dytësore krahasuar me sfidat reale: mbijetesën, rishpikjen profesionale dhe përballjen me automatizimin dhe inteligjencën artificiale. Teksa turistët vazhdojnë të bëjnë foto në ambientet ikonike të studios, brenda saj mbizotëron ankthi për të ardhmen e Hollivudit.