Ndeshja e La Liga-s mes Levante dhe Villarreal, e planifikuar për t’u zhvilluar sot, është pezulluar zyrtarisht nga Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) për shkak të kushteve të rrezikshme atmosferike në lindje të Spanjës.
Në deklaratën e saj, RFEF bëri të ditur se vendimi u mor pas paralajmërimeve të nivelit të kuq të lëshuara nga agjencia meteorologjike spanjolle, të cilat parashikojnë reshje të rrëmbyeshme në rajonin e Valencias.
“Për arsye sigurie dhe bazuar në rekomandimet lidhur me shirat e rrëmbyeshëm të parashikuar në rajonin e Valencias, gjyqtari i garave të RFEF ka vendosur shtyrjen e ndeshjes,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Kujtohet se edhe vitin e kaluar, disa ndeshje të kampionatit dhe Kupës së Mbretit u shtynë në të njëjtën zonë, pasi përmbytjet katastrofike shkaktuan më shumë se 200 viktima.
Villarreal, që aktualisht renditet i treti në La Liga, po zhvillon një sezon mbresëlënës dhe ndodhet tetë pikë pas Barcelonës kryesuese, duke pasur gjithashtu dy ndeshje më pak të luajtura.
Federata Spanjolle e Futbollit pritet të njoftojë së shpejti datën e re për zhvillimin e kësaj përballjeje.