Mevlan Murati: Jemi duke jetuar një ëndërr

- Bota Sot

Mevlan Murati: Jemi duke jetuar një ëndërr

Një prej lojtarëve me shumë vite e paraqitje në fanellë kuqezi vlerëson momentin historik që përjeton Shkëndija e Tetovës, ndërsa beson se edhe viti 2026 do të na gjejë në Evropë. 

Shkëndija po kalon një moment fantastik, pasi paraqitjen debutuese në fazën kryesore të UEFA Conference League, mund ta kurrorëzojë me kalim në play off të kësaj gare Evropiane.

Fitorja 2:0 ndaj Slovan Bratislavës të enjten në Shkup, na çon pranë kualifikimit në play-off dhe kuqezinjtë duken tepër të motivuar para ndeshjes së fundit me AEK Larnakan, të enjten e ardhshme në Qipro. 

“Është një kënaqësi që i përjetojmë këto ndodhi që kanë ndodhur dhe që jemi në këtë moment të bukur.

Duhet të punojmë intenzivisht, kur të gjithë janë në pushim ne fokusohemi te ndeshjet e radhës dhe jemi shumë shumë të gëzuar me ndeshjen e fundit që arritëm rezultat pozitiv.

Do të përgatitemi maksimum, që të arrijmë objektivin dhe të kalojmë në raundin e play off-it”, flet me optimizëm, mbrojtësi i djathtë, Mevlan Murati, lojtar i rritur në Shkëndijë dhe një prej futbollistëve me më shumë paraqitje në fanellën kuqezi dhe person që i din mirë peshën klubit dhe sakrificave të bëra për të prekur këto nivele. 

“Ta them të drejten ka 10 vite që tentojmë ta arrijmë këtë nivel.

Kjo është kënaqësi shumë e madhe sepse ka vite që punojmë ndeshje pas ndeshje dhe vit pas viti që të arrijmë këto suksese dhe më në fund u shpërblyem me këtë meritë.

Jemi plotësisht me plotë meritë këtu ku jemi dhe besoj shumë se do të japim edhe më shumë që të arrijmë diçka edhe më të madhe se kjo”, thotë Murati, duke shtuar:

“Kur erdha herën e fundit këtu e kemi pasur një bisedë shumë të mirë. Atë që të premtova edhe ia arritëm qëllimit”. 

Për 31 vjeçarin, kjo arritje është rezultat i punës, por kur ekipi tashmë gjendet në këtë pikë, duhet vazhduar me shumë përkushtim për të provuar limitet deri në maksimum. 

“Është një ëndërr që jemi duke e jetuar për momentin dhe shpresojmë në një ëndërr shumë më të madhe që të arrijmë në pranverë ta përfaqësojmë Shkëndijën dhe të gjithë në vend dhe jashta, ashtu edhe si e kemi edhe moton tonë ‘Mbi të gjitha është Shkëndija’.

Besoj shumë dhe do të përgatitemi shumë dhe do të japim maksimumin që të arrijmë këtë sukses”. 

Pavarësisht paraqitjeve shumë pozitive në Evropë, Shkëndija nuk ka pikët e merituara, mirëpo triumfi 2:0 ndaj Slovan Bratislavës na ka çuar fare pranë kualifikimit, duke na dhënë një shtytje të madhe. 

“Patjetër ajo na dha një shtesë shumë të madhe, pasi ajo erdhi nga disa ulje që i patëm.

Të ceki ndeshjen me Jagiellonian dhe Dritën, pavarësisht maksimumit që e dhamë, nuk patëm rezultatin e duhur.

Por ndonjëherë futbolli të jep dhe ndonjëherë të merr. Jemi në moment të bukur dhe të duhur për të arritur suksese”, beson tetovari. 

Paraqitjet në Evropë kanë marrë goxha shumë energji dhe Shkëndija ka pasur disa hapa fals n kampionat. Vendi i tretë në gjysmësezon len hapsirë për përmirësim dhe në pranverë një prej synimeve do të jetë atakimi i pozitës së parë. 

“Të them të drejtën, kur je brenda kësaj, i kupton të gjithë dhe e din se ke ulje dhe ke ngritje, skuadra ndonjëherë është mirë, ndonjëherë e lodhur.

Hynë udhëtimet, hynë presioni dhe shumë gjëra brenda, por ne që jemi brenda e përjetojmë ndryshe dhe i kuptojmë edhe tifozët nga jashtë kur i dëshpërojmë ndonjëherë.

Megjithatë futbolli i ka këto, ndonjëherë do të dëshpërohemi, ndonjëherë do të gëzohemi dhe më shumë jemi nga kjo ana pozitive e gëzimit tonë”. 

Hiq skuadrat nga top ligat evropiane, thuajse shumica e ekipeve tjera që bëjnë mirë në Evropë, në skenën vendore kanë shfaqur probleme me rezultatet dhe konsistencën. 

“Këto janë probleme që shihen edhe te klubet më të mëdha se ne. Kur ke ne çdo tre ditë ndeshje, pasi kjo është një angazhim shumë i madh si psiqikisht ashtu edhe fizikisht.

Por, besoj se ne kemi arritur ti menaxhojmë këto me sukse dhe kemi arritur këtu ku jemi”, potencon Mevlan Murati, që në fund thotë se në këtë moment i gjithë fokusi duhet të jetë te sfida e të enjtes me AEK Larnaka. 

“Vijmë nga fitorja ndaj Slovan Bratislavës, tani shkojmë tek ndeshja ma e madhe e klubit mund të them, sepse mund të arrijmë një sukses që e kemi ëndërruar me vite e vite dhe e kemi sjellur Shkëndijën në këto gara ku është tani.

Besoj se do të japim atomin e fundit që ekziston tek ne, si futbollistët, si stafi, drejtuesit që të arrijmë këtë sukses”, përfundoi mbrojtësi kuqezi, Mevlan Murati.
 



Lexoni të gjitha në Bota Sot