Mediat sportive në Madrid kanë nisur të shfaqin një qëndrim më mbështetës ndaj Xabi Alonsos, pas fitores 2-1 të Real Madridit në udhërim ndaj Deportivo Alaves.
Kylian Mbappe dhe Rodrygo realizuan nga një gol, respektivisht në pjesën e parë dhe të dytë, duke i siguruar “Los Blancos” tre pikë të rëndësishme, një rezultat që i ka dhënë disi frymëmarrje projektit të drejtuar nga Alonso.
Gazetari Emilio Contreras, në një analizë për La Tribuna, shprehu habinë e tij për mënyrën se si po vihet në dyshim trajneri spanjoll.
“Jam i surprizuar që një bast trevjeçar si ai i Xabi Alonsos po vihet në diskutim kaq shpejt. Është e qartë që disa gjëra nuk po funksionojnë, por rezultatet nuk janë të këqija. Ekipi ishte kryesues i kampionatit deri pak kohë më parë dhe është mes tetë më të mirëve në Ligën e Kampionëve”.
Contreras theksoi gjithashtu standardet e dyfishta brenda klubit.
“Sezonin e kaluar situata ishte më kritike dhe Ancelotti u mbajt në detyrë. Kjo tregon qartë se durimi te Real Madridi është shumë i kufizuar”.
Edhe Nacho Labarga dha mendimin e tij mbi polemikat që rrethojnë të ardhmen e Alonsos.
“Nuk e kuptoj pse ka kaq shumë dyshime rreth një shkarkimi të mundshëm. Ky është Real Madridi dhe kjo stemë të detyron të fitosh. Forma e skuadrës ka qenë e dobët dhe, edhe pse nuk ka një zëvendësues të qartë, kërkesat në këtë klub janë ndryshe”.
Megjithatë, Labarga u shpreh qartë kundër një largimi të menjëhershëm.
“Unë e di se çfarë do të bëja dhe, për mua, shkarkimi i Alonsos do të ishte një gabim”.
Në të njëjtën linjë ishte edhe Jose Manuel Olivan, i cili bëri thirrje për më shumë qetësi dhe durim.
“Jemi më 12 dhjetor dhe ende nuk është vendosur as titulli i parë i sezonit. Nëse diçka ka humbur, atëherë po, është problem. Por Alonso tashmë e ka dëshmuar veten si trajner i madh përmes rezultateve dhe projekte të tilla afatgjata kërkojnë durim”.
Debati rreth të ardhmes së Xabi Alonsos vazhdon, por fitorja ndaj Alaves duket se ka zbutur tonet kritike dhe ka rikthyer pjesërisht besimin e mediave madrilene.