Fernando Torres: Do të doja një ditë të drejtoja Atletico Madridin

- Bota Sot

Fernando Torres: Do të doja një ditë të drejtoja Atletico Madridin

Legjenda e Atletico Madridit, Fernando Torres, po shijon fazën e re të karrierës së tij si trajner i ekipit rezervë të “Rojiblancos”, teksa nuk e fsheh dëshirën që një ditë të marrë drejtimin e ekipit të parë.

Ish-sulmuesi spanjoll, i cili u shndërrua në një yll global të futbollit pikërisht me fanellën e Atleticos, vazhdon të gëzojë respektin dhe admirimin e tifozëve të klubit ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij.

Në një intervistë për “Onda Cero”, Torres u shpreh hapur për ambicien e tij, duke theksuar gjithsesi besimin dhe mbështetjen e plotë për trajnerin aktual, Diego Pablo Simeone.

“Shpresoj që një ditë ata të më zgjedhin mua për Atleticon, nëse lind mundësia. Vetëm me punë të palodhur kjo mund të bëhet realitet. Për momentin jam i përqendruar te seanca stërvitore e nesërme. Ne tifozët e Atleticos jemi shumë të kënaqur me trajnerin tonë aktual, ‘Cholo’”, tha Torres.

Torres, i njohur ndryshe si “El Nino”, shihet nga shumë tifozë dhe analistë si një kandidat i natyrshëm për të pasuar Simeonen në të ardhmen, falë lidhjes së fortë emocionale me klubin dhe njohjes së thellë të ADN-së së Atletico Madridit.

Për momentin, ish-kapiteni i Spanjës mbetet i fokusuar në zhvillimin e brezit të ri, duke ndërtuar gradualisht profilin e tij si trajner brenda strukturave të klubit madrilen.



Lexoni të gjitha në Bota Sot