Arsenali po përballet me një tjetër periudhë të vështirë për shkak të dëmtimeve, teksa mbrojtësi Ben White do të mungojë rreth një muaj.
Sipas BBC Sport, futbollisti anglez ka pësuar një dëmtim në tendinën e kofshës gjatë fitores ndaj Wolverhampton, ndeshje në të cilën u detyrua të largohej nga fusha që në pjesën e parë.
Pas takimit, trajneri Mikel Arteta kishte konfirmuar dyshimet për një dëmtim muskulor, ndërsa ekzaminimet e mëvonshme kanë vërtetuar se White do të qëndrojë jashtë për disa javë. Ky është dëmtimi i dytë sezonal për mbrojtësin, në një moment delikat për “Topçinjtë”.
Situata bëhet edhe më problematike për Arsenalin, i cili po goditet rëndë nga mungesat për sezonin e dytë radhazi.
Gabriel Magalhaes pritet të mungojë deri në fund të vitit kalendarik për shkak të një dëmtimi në aduktor, ndërsa Cristhian Mosquera do të jetë jashtë fushave deri në mes të janarit 2026 pas një problemi serioz në kyçin e këmbës.
Në listën e të dëmtuarve vijojnë të jenë edhe Kai Havertz dhe Max Dowman, të dy të ndalur nga probleme në kyçin e këmbës.
Me mungesat e White, Gabriel dhe Mosquera, Arteta do të detyrohet të gjejë zgjidhje të reja në repartin defensiv për të përballuar ngarkesën e ndeshjeve në javët në vijim.