Erblin Vranovci, talenti që po mahnit në Kosovë: Synimi im është të arrij sa më lart

- Bota Sot

Erblin Vranovci, talenti që po mahnit në Kosovë: Synimi im është të arrij sa më lart

Kosova është gurrë e pashtershme e talenteve të futbollit. 

Një emër që po vjen dhe që premton shumë për të ardhmen është portieri i talentuar i Ferizajt U-19 dhe U-21, Erblin Vranovci.

Portieri i ri ferizajas është përfshirë disa herë edhe në grumbullimet e Kombëtares së Kosovës U-18, duke dëshmuar potencialin dhe ambiciet e tij të mëdha.

Me reflekse të jashtëzakonshme, Erblini po spikat gjithnjë e më shumë.

Vetëm 17 vjeç, me një gjatësi prej 191 centimetrash, ai shquhet për pritjet vendimtare. 

Menaxher e ka Fadi Raçin, ndërsa Erblini gëzon edhe mbështetjen e madhe të prindërve, Lulzimit dhe Antigonës.

Babai i tij, Lulzimi, ka qenë futbollist dhe ka luajtur me sukses për Çelikun e Ferizajt.

“Si fëmijë kam filluar te FC Ferizaj në moshën 7-vjeçare si lojtar i krahut.

Pas një viti kalova si portier, aty ku më rrahu zemra. Kam kaluar nëpër të gjitha gjeneratat e Ferizajt dhe tani jam portieri i U-19.

Kam pasur fatin të jem pjesë e Kombëtares së Kosovës U-18 gjatë këtij viti”, ka thënë Erblini për gazetën kombëtare Bota sot.

Ai thekson se motivimin kryesor për t’u marrë me futboll e ka marrë nga babai i tij, Lulzimi, por edhe nga portieri Erand Pajaziti.

“Përveç prindërve që më mbështesin vazhdimisht, motiv shtesë kam pasur nga Erand Pajaziti, i cili ka qenë portier këtu dhe tani është në Gjermani. Luan Çerkini më ka mësuar gjërat elementare, sjelljen në fushë dhe shumë aspekte që i duhen një portieri”, nënvizoi Vranovci.

Si çdo talent i ri, edhe Erblini ka idhullin e tij, portierin e Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muriç.

“E shikoj çdo ndeshje të tij, mënyrën e pozicionimit, komunikimin, stërvitjet dhe reagimet gjatë lojës”, theksoi ai.

Synimi i 17-vjeçarit  janë që të jetë pjesë e ekipit të parë të Ferizajt.

“Synimi im është të arrij sa më lart. Një ditë dua të jem pjesë e një klubi të madh jashtë Kosovës”, përfundoi Erblin Vranovci.

 



Lexoni të gjitha në Bota Sot