Donnarumma portieri më i mirë në botë: Shpresoj të bëj edhe më shumë

- Bota Sot

Donnarumma portieri më i mirë në botë: Shpresoj të bëj edhe më shumë

Gianluigi Donnarumma ka fituar çmimin Best FIFA Award 2025 si portieri më i mirë i vitit, duke u konfirmuar në majën e futbollit botëror pas një sezoni të jashtëzakonshëm.

Portieri italian, aktualisht pjesë e Manchester City, ka lënë pas emra të mëdhenj si Alisson, Courtois, Emiliano Martinez, Neuer, David Raya, Yann Sommer dhe Wojciech Szczesny, duke u bërë italiani i parë që fiton këtë çmim pas Gianluigi Buffon në vitin 2017.

Fituesi u shpall nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili e njoftoi lajmin përmes rrjeteve sociale. Donnarumma u shpreh i nderuar për këtë vlerësim: “Është një nder i vërtetë të marr këtë çmim, jam shumë i lumtur. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe të bëj edhe më shumë”.

Në deklaratën e tij për faqen zyrtare të “Citizens”, Donnarumma shtoi: “Është një nder i madh të fitoj këtë çmim prestigjioz dhe falënderoj të gjithë ata që votuan për mua.

Jam jashtëzakonisht krenar që jam shpallur më i miri në botë përpara portierëve kaq të jashtëzakonshëm, për të cilët kam respekt dhe admirim të madh.

Fitorja e Champions League me PSG-në do të mbetet përgjithmonë në kujtesën time. Tani do të punoj për të arritur suksese të tjera me klubin tim të ri, Manchester City”.

Viti 2025 ka qenë kulmi i një rruge plot trofe dhe suksese për Donnarumma-n: tituj në Francë si Ligue 1, Coupe de France dhe Trophée des Champions, triumfi në Champions League me PSG-në dhe vendi i dytë në Botërorin për Klube, përpara transferimit te City. Çmimi i FIFA-s e mbyll vitin në mënyrën më të mirë për portierin italian, tashmë një referencë absolute në futbollin botëror.



Lexoni të gjitha në Bota Sot