Fabregasi i ‘padëshiruar’ në Senegal, pas lëndimit të yllit të kombëtares ndaj Romës
Cesc Fabregas nuk është aspak figura më e dashur në Senegal për momentin, pas dëmtimit të pësuar nga Assane Diao gjatë përballjes së së hënës në mbrëmje në Serie A mes Romës dhe Comos, dëmtim që e rrezikon 20-vjeçarin të mungojë në Kupën e Afrikës së Kombeve.
Como u mposht 1-0 nga Roma në “Stadio Olimpico” të hënën në mbrëmje, me Wesley Franca që shënoi golin e vetëm të ndeshjes.
Përveç humbjes së asaj që ishte praktikisht një “ndeshje me gjashtë pikë” në garën për Ligën e Kampionëve, Como duhet të përballet edhe me humbjen e Diaos, i cili u ndal papritur dhe u largua duke çaluar nga fusha pas 37 minutash lojë në “Olimpico”.
Talenti senegalez kishte munguar për disa muaj më herët këtë vit për shkak të një frakture në kockën metatarsale dhe ishte rikthyer vetëm së fundmi nga një dëmtim në muskujt e kofshës, i cili e kishte mbajtur jashtë për dy ndeshje kampionati në muajin nëntor.
Megjithatë, ai tani ka pësuar një tjetër dëmtim muskulor, që e vë seriozisht në dyshim pjesëmarrjen e tij në Kupën e Afrikës së Kombeve.
Si pasojë, Fabregas është bërë objekt i fyerjeve nga tifozët senegalezë në rrjetet sociale, pas vendimit të tij për ta aktivizuar Diaon si titullar kundër Romës, vetëm pak ditë para nisjes së Kupës së Afrikës së Kombeve.
Spanjolli është quajtur “imbecil” nga disa tifozë, ndërsa të tjerë kanë përdorur gjuhë edhe më ekstreme, madje disa kanë bërë komente degraduese ndaj bashkëshortes së tij nën postimin e tij më të fundit në “Instagram”, në orët pas humbjes 1-0 të Comos ndaj Romës.