Kombëtarja shqiptare e futsallit fitoi miqësoren e parë ndaj Turqisë me rezultatin e thellë 5:1.
Një paraqitje shumë e mirë e djemve kuqezi, të drejtuar nga trajneri Erind Resuli, në stadiumin “Gazanfer Bilge Sports Hall”.
Golat e fitores u realizuan nga Arif Limani, autor i një triplete, dhe Qendrim Bakia, i cili shënoi dy herë. Trajneri Resuli e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Fidan Misini, Arbër Shkodra, Halim Selmanaj, Ermir Kryeziu dhe Arif Limani.
Ndeshja nuk nisi mirë për kuqezinjtë, pasi Turqia kaloi e para në avantazh në minutat e para me golin e Adem Küçükkartal. Reagimi i Shqipërisë ishte i menjëhershëm dhe kuqezinjtë përmbysën rezultatin brenda pjesës së parë, duke shënuar tre gola. Arif Limani realizoi golin e barazimit, Qendrim Bakia shënoi golin e dytë, ndërsa Limani realizoi edhe golin e tretë.
Në pjesën e dytë, Kombëtarja shqiptare vijoi dominimin dhe Arif Limani shënoi golin e katërt dhe të sigurisë, duke kompletuar tripletën personale. Qendrim Bakia vulosi fitoren spektakolare në minutat e fundit, duke vulosur rezultatin përfundimtar 5-1.
Nesër do të zhvillohet edhe ndeshja e dytë miqësore mes Turqisë dhe Shqipërisë, sërish në stadiumin “Gazanfer Bilge Sports Hall”, në orën 12:00.