Vildan Saliu: Plani ynë për pranverën është i qartë

- Bota Sot

Vildan Saliu: Plani ynë për pranverën është i qartë

Sezoni aktual për Arsimin e Çegranit përfaqëson shumë më tepër sesa një debutim i zakonshëm në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut. 

Si një ekip i ri në elitë, klubi hyri në garë me respekt për çdo kundërshtar, por pa frikë nga emrat apo sfidat, duke treguar karakter, disiplinë taktike dhe besim të plotë në filozofinë e vet të futbollit që nga ndeshja e parë.

Arsimi zgjodhi rrugën më të vështirë, por edhe më të ndershme, futboll ofensivë, të guximshëm me një ide të qartë të lojës, pa mbyllje dhe pa devijuar nga parimet, pavarësisht nga kundërshtari. 

Rezultatet pozitive nuk ishin rastësi, por rezultat i punës së përditshme, sakrificës së madhe dhe unitetit të jashtëzakonshëm midis lojtarëve, stafit të trajnerëve dhe klubit.

Ky sezon i ka sjellë ekipit përvojë, vetëbesim dhe motivim të fortë për të ardhmen, duke konfirmuar se Arsimi nuk është në elitë vetëm për pjesëmarrje, por për konkurrencë serioze dhe për të lënë gjurmë.

Trajneri i Arsimit, Vildan Saliu, thekson se klubi ka një plan të qartë për pjesën pranverore të sezonit.

“Plani ynë për pranverën është i qartë dhe i strukturuar mirë.

Së bashku me menaxhmentin, si staf trajnerësh, do të bëjmë një analizë të detajuar të të gjithë sezonit nga aspekti taktik, individual dhe organizativ.

Do të vlerësojmë çdo segment të lojës, nga faza ofensive deri te ajo mbrojtëse, si dhe ekuilibrin e përgjithshëm të ekipit”, tha Saliu.

Bazuar në këto analiza, klubi do ti qaset përforcimit të skuadrës me kujdes dhe në mënyrë racionale.

“Do të forcohemi në mënyrë racionale, me lojtarë që i përshtaten filozofisë sonë ofensive dhe që do të rrisin konkurrencën në ekip.

Qëllimi nuk është të ndryshojmë identitetin, por ta përmirësojmë dhe stabilizojmë atë. Arsimi po ndërton një projekt afatmesëm dhe afatgjatë, dhe çdo vendim do të merret në funksion të vazhdimësisë dhe konkurrencës në elitë”, përfundoi Saliu.



Lexoni të gjitha në Bota Sot