Një rast i mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve është zbuluar pasditen e 17 dhjetorit 2025 në rrugën “Ibrahim Rugova” në Prizren.
Gazeta Sinjali mëson se rreth orës 16:00, gjatë patrullimit të rregullt, njësitet policore kanë ndaluar për kontroll një automjet të cilën e drejtonte N. K. Gjatë kontrollit të veturës, në sirtarin nga ana e pasagjerit është gjetur një armë zjarri – pistoletë e prodhimit Zastava, me karikator, pa fishekë.
Në vendngjarje kanë dalë hetuesi kujdestar dhe ekipi i krim-teknikës, të cilët e kanë sekuestruar armën në cilësinë e provës materiale. Fillimisht, pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar dhe i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Mirëpo, pas ri-konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë. Gazeta Sinjali mëson se i dyshuari po mbahet në Qendrën e Mbajtjes, ndërsa rasti është dërguar për hetim të mëtejmë.
Hetimet janë në vazhdim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GS