Kombëtarja e Kosovës në futsall është mposhtur nga Lituania me rezultat 5:3, në një ndeshje ku Dardanët treguan paraqitje të mirë, por momentet kyçe ndikuan në epilogun final.
Kosova e nisi takimin më mirë dhe arriti ta mbyllë pjesën e parë në epërsi 2:1, duke kontrolluar lojën dhe duke qenë më konkrete në fazën sulmuese. Megjithatë, rrjedha e ndeshjes ndryshoi në pjesën e dytë.
Një moment vendimtar ishte ndëshkimi i Drilon Maxharrajt me kartonin e dytë të verdhë, që la Kosovën me një lojtar më pak dhe i dha përparësi Lituanisë në vazhdim të takimit.
Pavarësisht përpjekjeve, Lituania arriti të përmbysë rezultatin dhe ta mbyllë ndeshjen me fitore 5:3.
Sa i përket golave për Kosovën, dy herë në listën e realizatorëve u regjistrua Drilon Maxharraj, ndërsa një gol u shënua nga Shqiprim Imeri.
Kosova do të synojë reagim pozitiv në ndeshjet e radhës të turneut ndaj Çekisë, duke kërkuar të nxjerrë maksimumin nga paraqitja e ardhshme.