Napoli i Rrahmanit në finalen e Superkupës së Italisë, mund Milanin

- Bota Sot

Napoli i Rrahmanit në finalen e Superkupës së Italisë, mund Milanin

Napoli ka siguruar kualifikimin në finalen e Superkupës italiane, pasi mposhti AC Milanin me rezultat 2-0 në stadiumin “King Saud University”, duke u rikthyer te fitorja pas dy humbjeve radhazi.

‘Napolitanët’ synojnë ta fitojnë këtë trofe për herë të parë që nga viti 2014.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe raste në të dyja anët që në minutat e para. Eljif Elmas testoi portierin kundërshtar me një goditje të hershme, ndërsa Vanja Milinkovic-Savic reagoi shkëlqyeshëm për t’i mohuar golin Ruben Loftus-Cheek pas një tentimi spektakolar nga Strahinja Pavlovic.

Napoli mori gradualisht kontrollin e posedimit, por Milani pati një rast të artë kur topi i devijuar nga Amir Rrahmani përfundoi te Alexis Saelemaekers, i cili goditi mbi portë.

Elmas pati edhe një tjetër mundësi, por gjuajtja e tij shkoi jashtë pas një topi të lëshuar nga Mike Maignan. Pjesa e parë u karakterizua nga duele të forta dhe ritëm i lartë, derisa goli i epërsisë erdhi në minutën e 39-të. Maignan devijoi topin e kthyer nga Rasmus Højlund drejt David Neres, i cili realizoi lehtësisht për 1-0. Portieri i Milanit shmangu një gol tjetër të Hojlund pak para pushimit.

Edhe pjesa e dytë nisi me presion nga Napoli. Maignan u detyrua të ndërhyjë sërish në minutën e 54-të ndaj goditjes së Rrahmanit, ndërsa mbrojtja e Napolit reagoi me Juan Jesus për të larguar rrezikun. Dominimi i Napolit u konkretizua në minutën e 64-të, kur Højlund fitoi duel me mbrojtjen dhe shënoi një gol të bukur nga këndi i ngushtë, duke dyfishuar epërsinë.

Milani tentoi të reagojë me raste nga Fikayo Tomori dhe Youssouf Fofana, por pa sukses përballë Milinkovic-Savic. Deri në fund pati tension dhe kartonë të verdhë, por rezultati mbeti i pandryshuar.

Me këtë fitore, Napoli siguron finalen e Superkupës italiane, ku do të përballet me fituesin e ndeshjes Bologna–Inter. Ndërkohë, për Milanin kjo është një tjetër zhgënjim, dy javë pasi u eliminua edhe nga Kupa e Italisë, pavarësisht formës së mirë në Serie A.



Lexoni të gjitha në Bota Sot