Dinamo kërkon rikthimin

- Bota Sot

Dinamo kërkon rikthimin

Dinamo do të luajë sot në orën 16:30 ndeshjen e javës së 17 të Superiores, ku përballë do të ketë Vorën, një rival aspak komod për paraqitjet që ka bërë këtë sezon. Humbja e fundit ndaj Egnatias në shtëpi, ka sjellë sërish shqetësime në kampin blu, duke qenë se u duk se kishte kaluar momenti i vështirë pas fitoreve me Tiranën e Flamurtarin.

Vendi i parë tashmë është 6 pikë larg dhe te Dinamo janë të qartë se çdo pikë e lënë rrugës, mund të kushtojë shumë deri në fund të kampionatit. nga ana tjetër, Vora po e ndjen zonën e ftohtë duke qenë se diferenca e pikëve ëstë shumë e ngushtë dhe ndaj Dinamos, mund ta ketë edhe si një sfidë personale për revansh pas humbjes 0-2 në fazën e parë.

Trajneri Bellai ka treguar këtë sezon se me skuadrën e tij di t’iu marrë pikë skuadrave të mëdha. Këtë e bëri pak ditë më parë në Shkodër kundër Vllaznisë dhe natyrisht që mund ta synojë edhe në sfidën e sotme ndaj Dinamos në stadiumin “Air Albania”, fushë kjo që iu lejon të shprehen mirë të dyja skuadrave dhe të japin maksimumin e tyre.

GJENDJA E SKUADRËS- Veç humbjes me rezultatin 1- 2, Egnatia i solli edhe pasoja Dinamos pasi humbi shërbimet e Klevi Qefalisë që ka plotësuar numrin e kartonëve. Një tjetër mungesë e rëndësishme për Dinamon, është ajo e Gudiabit i cili ka ndjerë shqetësime në ditët e fundit dhe nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e sotme ndaj Vorës. Pjesa tjetër e skuadrës ka qenë e plotë dhe natyrisht Daja pret janarit për të pasur edhe Alijin në skuadër si edhe për të pasur mundësinë e merkatos, pasi shpesh herë ka kërkuar sulmues.

NDESHJA E PARË- Dinamo arriti të merrte fitore në sfidën e parë ndaj Vorës të luajtur në stadiumin “Arena e Demave”.

Në fakt, vorakët kishin kërkuar të luanin në fushën e Dinamos por këta të fundit refuzuan dhe në fund arritën të triumfonin me rezultatin 0-2, ku natyrisht nuk munguan edhe polemikat për gjykimin dhe një penallti të pa dhënë për skuadrën e Vorës.

ORARI- Ndryshe nga ndeshjet e shkuara në “Air Albania”, Dinamo do të luajë në orën 16:30. Dy ndeshjet e fundit në Tiranë, Dinamo i ka zhvilluar në orën 19:00 dhe 19:30, teksa me orarin e ri ndoshta mund të ketë edhe një numër më të ulët tifozësh. Duke qenë se ndeshja luhet në ditë javë dhe në orar pune, tifozët në shkallët e stadiumit mund të jenë në numër më të reduktuar, ku për hir të së vërtetës, këtë sezon Dinamo ka qenë ndër skuadrat me më pak tifozë në Superiore.



Lexoni të gjitha në Bota Sot