Sulmuesi i Kombëtares së Anglisë, Harry Kane, ka folur për pritjet e tij për Kupën e Botës 2026, ku ka treguar se imperativi i vetëm është triumfi në garën më të madhe të kombëtarëve.
Kapiteni i Anglisë ka dërguar një mesazh të qartë përpara turneut të madh që e pret “Tre Luanët”.
Sulmuesi anglez pranon se pritjet tashmë janë në nivel maksimal dhe se vetëm fitimi i trofeut do ta shuajë zhurmën dhe kritikat përreth ekipit.
Me Anglinë të renditur mes më të mirave në botë dhe të konsideruar favorite, Kane thekson se skuadra ka cilësinë për të triumfuar, por sfida kryesore mbetet përballja me presionin dhe momentet vendimtare.
Messi emëron pesë kombëtaret që mund të fitojnë Kupën e Botës 2026, injoron Portugalinë
"Mendoj se tani jemi në një fazë ku vetëm fitorja do të na kënaqë ne dhe të gjithë vendin. Ndjemë diçka të ngjashme në Kampionatin e fundit Evropian. Arritëm në finale, por ende kishte shumë negativitet përreth ekipit", ka thënë fillimisht Kane.
“E dinim që nëse nuk do ta fitonim turneun, zhurma nuk do të zhdukej - dhe kjo është ajo që ndodhi. Është një pjesë integrale e gjithçkaje. Që nga viti 2018, ne kemi ndërtuar gradualisht suksesin tonë: gjysmëfinalja e Kupës së Botës, finalja, çerekfinalja, pastaj përsëri finalja. Ne vazhdimisht trokasim në derë dhe mbetemi një nga ekipet më të mira në botë".
“Pritjet për këtë turne janë të larta. Ne jemi të katërtit në renditjen botërore dhe konsiderohemi si një nga favoritët. Duhet ta pranojmë këtë, të vijmë në turne me këtë mirëkuptim dhe të jemi në gjendje të përballojmë presionin”.
“Gjatë tetë viteve të fundit, ekipi ka pasur shumë momente të mira, shumë momente të ndritshme, por në fund të fundit, për mua personalisht, gjithçka varet nga fitoret - nga fitimi i trofeve më të mëdhenj.
Ne patjetër që kemi cilësinë për ta arritur këtë, tani pyetja është nëse kemi cilësinë për tu përballur me momentet vendimtare”.
“Kur vjen një turne i madh, është kulmi i karrierës, kulmi i presionit dhe, në të njëjtën kohë, kulmi i emocioneve dhe entuziazmit. Kështu që jam i interesuar të shoh se si do ta përballoj këtë dhe si do të performojë ekipi”, përfundoi kapiteni i Anglisë.