Neymar ende nuk ka dhënë deklaratë publike për rinovimin me Santosin, klub i cili dëshiron që ish-lojtari i Barcelonës dhe PSG të qëndrojë të paktën deri në Botërorin 2026.
Megjithëse gjatë javëve të fundit, para përfundimit të kampionatit Brazilian, është pyetur për të ardhmen e tij, përgjigjet kanë qenë gjithmonë të paqarta.
Ai që foli kohët e fundit ishte drejtori sportiv i Santos, Alexandre Mattos, i cili është optimist për ta bindur Neymar të qëndrojë edhe 6 muaj, duke zgjatur kontratën aktuale. Mattos thekson se paratë nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë pengesë:
“Do t’ju kërkoj ndjeshmëri, sepse është një çështje me peshë. Ka ardhur këtu sepse dëshiron, është i lumtur të jetë te Santosi.
Aspekti financiar nuk ka qenë asnjëherë pengesë apo arsye për ndryshim. Kur Neymar erdhi, skuadra ishte në rindërtim, sapo kishim dalë nga Serie B, do të ishte e vështirë të luftonim për kampionatin, megjithatë punuam për këtë. E shoh shumë të lumtur këtu”.
Mattos shtoi se nuk ka arsye për t’u nxituar. Neymar është me pushime dhe gjithçka do të zgjidhet natyrshëm përpara rikthimit të ekipit në stërvitje: “Është shtëpia e tij dhe gjithmonë do ta presim krahëhapur. Çështja do të zgjidhet në kohën e duhur”.