Vdes trajneri legjendar

- Bota Sot

Vdes trajneri legjendar

Bota e futbollit skandinav është tronditur nga ndarja nga jeta e Age Hareide, trajnerit legjendar norvegjez, i cili u shua mbrëmjen e së enjtes në moshën 72-vjeçare.

Lajmi u bë zyrtar nga Federata Norvegjeze e Futbollit, e cila konfirmoi se Hareide u nda nga jeta i rrethuar nga dashuria e familjes së tij.

Figura emblematike e futbollit nordik ka qenë trajner i përfaqësueseve kombëtare të Norvegjisë, Danimarkës dhe, së fundmi, Islandës, duke lënë një gjurmë të thellë në historinë e futbollit skandinav për profesionalizmin, qetësinë dhe vizionin e tij taktik.

Beteja e Hareide kundër një tumori në tru, i diagnostikuar në muajin korrik, ishte bërë publike vetëm tre javë më parë.

Pavarësisht një trajtimi intensiv me radioterapi për gjashtë javë dhe më pas kimioterapisë, i njohur si “I Urti i Madh” i futbollit nordik nuk arriti ta mposhtte sëmundjen.

Një mesazh prekës erdhi edhe nga i biri, Bendik Hareide, i cili për transmetuesin publik norvegjez NRK deklaroi:

“Babai u shua sonte në shtëpinë e tij, i rrethuar nga familja. Ai luajti ndeshjen e tij të fundit.

Jemi pafundësisht mirënjohës për gjithë dashurinë që kemi marrë gjatë periudhës së sëmundjes së tij”.

Me ndarjen e Age Hareide, futbolli skandinav humb jo vetëm një trajner të madh, por edhe një simbol urtësie, përkushtimi dhe pasioni për lojën.



Lexoni të gjitha në Bota Sot