Shërbimi Kombëtar i Punësimit në Serbi njoftoi të premten se, nëpërmjet Bankës së Kursimeve Postare, do të fillojë pagesa e përfitimeve të rregullta dhe të përkohshme në para për muajin nëntor 2025. Gjithashtu, pagesa e përfitimeve prindërore, të fëmijëve dhe përfitimeve të tjera sociale do të fillojë sot.
Derisa ky shërbim doli me këtë njoftim pak ditë para zgjedhjeve në Kosovë, është bërë e ditur po ashtu se bonuse do të marrin edhe serbët që jetojnë në Kosovë.
Institucionet në Serbi po vazhdojnë t’i referohen Kosovës me termin jokushtetues “Kosova e M...”.
“Përfitimi i rregullt në para për personat e papunë do të paguhet sot, të premten, më 19 dhjetor, ndërsa përfitimi i përkohshëm në para për personat që jetojnë në dhe jashtë territorit të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë do të paguhet nesër, të shtunën, më 20 dhjetor 2025”, thuhet në njoftim, shkruan alo, transmeton KosovaPress.
KosovaPress ka shkruar edhe me pare sesi Serbia po tenton të ndërhyjë edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.
Kjo pasi, Komisariati për Refugjatë dhe Migracionet i Serbisë i ka ftuar personat e zhvendosur nga Kosova në Serbi që të votojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndwrsa Millosh Vuçeviq, kryetar i Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe këshilltar i presidentit të Serbisë për çështjet rajonale e pozicionoi Listën Serbe si përfaqësuesen e vetme legjitime të serbëve në Kosovë dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë të votojnë, transmeton KosovaPress.
Se Serbia ka kaluar nga ndikimi i tërthortë në një ndërhyrje të hapur politike në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë vlerësoi Gurakuç Kuçi nga Instituti “Octopus”.
“Serbia publikisht ka nisur një fushatë të drejtpërdrejtë ndikimi në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë. Ky operacion hibrid politik i centralizuar u artikulua në publik nga Millosh Vuçeviq, kryetar i SNS-së dhe këshilltar i Presidentit të Serbisë për çështjet rajonale, i cili e pozicionoi Listën Serbe si përfaqësuesen e vetme legjitime të serbëve në Kosovë dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë të votojnë”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti e akuzuan Serbinë se po ndërhyn drejtpërdrejt në zgjedhjet lokale.