Harry Kane, elozhe për 17 vjeçarin Karl

- Bota Sot

Harry Kane, elozhe për 17 vjeçarin Karl

Harry Kane ka shprehur vlerësime të mëdha për Lenny Karl, talentin 17-vjeçar që po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një element të rëndësishëm për balancat taktike të Bayern Munich. Në një intervistë për kanalet zyrtare të Bundesligës, sulmuesi anglez theksoi ndikimin e madh që i riu ka pasur te skuadra bavareze.

“Lenny ka qenë fantastik deri tani. Ai ka cilësi të jashtëzakonshme, sidomos në hapësira të ngushta, dhe kontributi i tij është shumë i rëndësishëm për ne”, u shpreh Kane.

Kapiteni i Anglisë shpjegoi se prania e Karl ndihmon Bayern-in të zhbllokojë ndeshje të komplikuara, ku kundërshtarët mbrohen thellë:

“Shpesh përballemi me skuadra që mbrohen me linja shumë të ulëta ose me skema si 5-4-1, duke e bërë të vështirë gjetjen e hapësirave. Lenny, falë shpejtësisë dhe aftësisë për të kaluar kundërshtarin, arrin t’i hapë këto hapësira.

Në këtë aspekt më kujton shumë Jamal Musiala, sepse aftësia e tij për të krijuar epërsi numerike na lejon të arrijmë më lehtë te goditja”.

Kane vlerësoi gjithashtu pjekurinë e Karl edhe në lojën pa top: “Ai punon shumë për skuadrën.

Me mënyrën tonë të stërvitjes dhe me një trajner kaq kërkues, nuk mund të ishte ndryshe.

Është një djalë i qetë, gjë e natyrshme për një 17-vjeçar në një ambient të tillë, por mëson çdo ditë dhe po e shijon eksperiencën në grup.

Prania e tij ka bërë realisht diferencën në shumë ndeshje këtë sezon”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot