Laporta godet fort Real Madridin

- Bota Sot

Laporta godet fort Real Madridin

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, nuk ka kursyer fjalët gjatë darkës tradicionale të klubit për Krishtlindje, duke shpërthyer ndaj rivalit të përjetshëm, Real Madrid, dhe presidentit të tyre, Florentino Pérez.

Laporta e ka cilësuar sjelljen e madrilenëve si “cinike dhe tepër arrogante”, duke i akuzuar se përdorin një “kanal televiziv për të vjellë gënjeshtra dhe për të helmuar opinionin publik në mënyrë të vazhdueshme”.

Në fjalimin e tij, Laporta theksoi se ndien nevojën të çlirohet nga kjo situatë:

“Duhet ta them hapur që pozicioni dhe suksesi ynë krijojnë zili dhe ata e menaxhojnë këtë shumë keq, duke shkelur çdo kod etik, moral dhe jo vetëm sportiv. Janë të njëjtët që krijojnë fushata të vazhdueshme për të dëmtuar stemën dhe esencën e klubit tonë. Këtë nuk do ta lejojmë. Ata e ngatërrojnë pushtetin me despotizmin e pakultivuar”, deklaroi Laporta.

Fjalimi u mbajt në Palau Blaugrana, para të gjitha skuadrave profesionale dhe stafeve teknike të klubit. Përveç kritikave të ashpra ndaj madrilenëve, Laporta dërgoi edhe një mesazh optimizmi për të ardhmen dhe bëri një referencë për zgjedhjet e ardhshme:

“Do të doja t’ju shihja edhe Krishtlindjen e ardhshme këtu, duke festuar sukseset e Barça-s. Visca el Barça dhe visca Catalunya”.

Laporta ka shprehur gjithashtu qëndrimin e tij në lidhje me çështjen e kontestuar të Negreira-s, në një intervistë të dhënë për TVE në nëntor: “Në Madrid ndihet pushteti, te Barça ndihet liria.

Marrëdhëniet me Florentinon janë të mira, por ata duan të zgjatin procesin e Negreira-s si një çikërrimë.

Tani kanë ‘barcelonitis’ kronike dhe flasin çdo ditë për Negreira-n.

Ne kemi sqaruar gjithçka në gjykatë dhe kemi dorëzuar prova që nuk ka pasur asnjë blerje arbitrash, sepse kjo nuk ka ndodhur”, theksoi presidenti i Barcelonës.

Me këtë sulm të hapur, Laporta përforcon luftën e tij dialektike me Real Madridin, duke e bërë të qartë se Barça nuk do të pranojë asnjë fushatë dëmtuese ndaj klubit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot