Gimenez e përfundon me sukses operacionin

- Bota Sot

Gimenez e përfundon me sukses operacionin

Milani ka njoftuar zyrtarisht këtë të premte se Santi Giménez i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në kyçin e këmbës.

Sulmuesi meksikan kishte luajtur prej kohësh me probleme në këmbë dhe nuk po rikuperohej plotësisht, ndaj u vendos që të kryhej operacioni.

Klubi bëri të ditur: “Santiago Giménez iu nënshtrua sot një artroskopie pastruese të kyçit të këmbës në Amsterdam.

Ndërhyrja, e kryer nga profesori Gino Kerkhoffs në prani të stafit mjekësor të AC Milanit, ishte një sukses i plotë. Pas javës së rikuperimit të planifikuar, Santiago do të rikthehet në Itali për të vazhduar programin e rehabilitimit”.

Më pas, edhe vetë lojtari reagoi në rrjetet sociale, duke bërë një postim në “Instagram” e duke bërë me dije se gjithçka shkoi mirë.

“Gjithçka shkoi shumë mirë!! Faleminderit shumë të gjithëve për mbështetjen, dashurinë dhe mesazhet tuaja. Tani është koha të rikuperohem 100% me shumë punë dhe shumë disiplinë për t’u rikthyer ashtu siç duhet.

Do të jemi më të fortë se kurrë, shihemi së shpejti!!”, shkruan Gimenez.

Sipas “Sky Sport”, sulmuesi “kuqezi” do të mungojë për të paktën dy muaj, çka do të thotë se pritet të rikthehet në shkurt.

Pyetja e madhe mbetet nëse ai do të rikthehet te Milani, pasi zërat sugjerojnë se mund të largohet gjatë afatit dimëror. E gjithë kjo vjen në një kohë kur Niklas Füllkrug është pranë nënshkrimit me klubin.



Lexoni të gjitha në Bota Sot