Shkëndija e Tetovës mbrëmë shkroi historinë më të re në futbollin europian.
Skuadra tetovare siguroi një vend për në ndeshjet e “play-off” të Ligës së Konferencës, duke vazhduar kështu aventurën europiane edhe për në pranverë.
Kjo ka bërë që shumë skuadra të vihen pas disa prej futbollistëve të skuadrës “kuqezi”, që këtë vit në garat europiane nga gjithsej 14 ndeshje të zhvilluara regjistroi 6 fitore, po aq disfata dhe 2 barazime.
Ishte sulmuesi Fabrice Tamba, ai që shënoi golin e parë europian në ndeshjen kundër uellsianëve të TNS, ndërsa i njëjti kishte shënuar edhe ndaj Ludogorets dhe kundër Qarabag.
Pikërisht drejtuesit e skuadrës azere kishin shfaqur interesim serioz për shërbimet e senegalezit, duke ofruar një shumë prej 500 mijë eurove. Mirëpo e njëjta ofertë e bërë që në verë, ishte refuzuar nga ana e drejtuesve të Shkëndijës.
Dhe si duket ky vendim i drejtuesve të skuadrës “kuqezi” nga Tetova po del i duhuri, kjo pasi vlera e Fabrice Tamba vetëm se shkon në rritje. Aktualisht, kartoni i tij në tregun europian të futbollit kap vlerën e 600 mijë eurove, ndërsa e njëjta pritet që të rritet edhe më shumë, kjo falë performancës së 21-vjeçarit në garat europiane.
Ofertat nuk mungojnë edhe tani për Fabrice Tamban, ndërsa të njëjtat po shqyrtohen nga drejtuesit e Shkëndijës, që tashmë kanë gjetur edhe zëvendësimin eventual të senegalezit, në rast se vendosin ta shesin atë gjatë merkatos së janarit.
Burime pranë “infOSport.mk” thonë që Shkëndija i ka vënë syrin sulmuesit të AP Brera, Fahd Ndzengue, i cili shihet si një opsion serioz për sulmin “kuqezi”.
Mirëpo, Tamba nuk është emri i vetëm për të cilin interes kanë shfaqur skuadra të ndryshme europiane. Në janar, apo edhe gjatë verës mund të lëvizin edhe emrat, si Imran Fetai dhe Ronaldo Webster, për të cilët gjithashtu ka interesim serioz.
Mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat, kur dihet se Shkëndija tashmë ka siguruar edhe pranverën europiane, por mbi të gjitha edhe mbi 5 milion euro, që mund të ndryshojnë shumë gjëra, krejt kjo bazuar edhe në ecurinë e mëtejshme në ndeshjet e Ligës së Konferencës.
Kujtojmë, me 16 janar Shkëndija do të mësoj emrin e kundërshtarit në ndeshjet e “play-off”, e ku për kundërshtarë të mundshëm do të ketë polakët e Lech Poznan ose turqit e Samsunspor.