Zelensky: Nuk i takon Putinit të vendosë për zgjedhjet në Ukrainë

- Bota Sot

Zelensky: Nuk i takon Putinit të vendosë për zgjedhjet në Ukrainë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha sot se nuk i takon homologut të tij rus të vendosë për organizimin e zgjedhjeve në Ukrainë, pasi Vladimir Putin sugjeroi një ditë më parë se Rusia mund të ndërpresë sulmet e saj ajrore ditën që do të mbaheshin zgjedhjet.

“Nuk është Vladimir Putin ai që vendos se kur dhe në çfarë formati do të zhvillohen zgjedhjet në Ukrainë”, tha Zelensky duke përjashtuar çdo mundësi për t’i mbajtur ato në territoret e pushtuara aktualisht nga forcat ruse.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se ishte gati të merrte në konsideratë ndalimin e sulmeve në Ukrainë, në ditën e zgjedhjeve, nëse ato do të mbahen.

Duke folur në një konferencë të posaçme për mediat në Moskë, Putini e kushtëzoi armëpushimin me pjesëmarrjen në zgjedhje të qytetarëve ukrainas që jetojnë në Rusi.

“Ne jemi gati të marrim në konsideratë ofrimin e sigurisë gjatë zgjedhjeve në Ukrainë. Të paktën, të ndalojmë sulmet në ditën e votimit”, tha ai.

Ai shtoi më pas se sipas vlerësimeve të ndryshme, në territorin e Rusisë ndodhen rreth pesë deri në 10 milionë qytetarë ukrainas me të drejtë vote.



Lexoni të gjitha në Bota Sot