Mësohen kërkesat e Upamecanos për të rinovuar me Bayernin

- Bota Sot

Mësohen kërkesat e Upamecanos për të rinovuar me Bayernin

Derisa transferimi të marrë një epilog përfundimtar, e ardhmja e Dayot Upamecano do të vazhdojë të jetë një temë e nxehtë në mediat e futbollit.

Edhe një herë, një zyrtar i lartë i Bayern Munich ka komentuar situatën aktuale të mbrojtësit francez.

Sipas raportimeve në mediat gjermane, Upamecano ka paraqitur kërkesa të qarta për rinovimin e kontratës së tij, e cila është drejt skadimit: një pagë deri në 18 milionë euro bruto në sezon, një bonus nënshkrimi mbi 20 milionë euro dhe një klauzolë lirimi prej 65 milionë eurosh, e cila do të hynte në fuqi që në vitin e parë të kontratës së re.

Bayern është i gatshëm të përmbushë të paktën dy kërkesat e para, ndërsa pika kryesore e mosmarrëveshjes mbetet klauzola e largimit.

Për të përshpejtuar negociatat, në lidhje me këtë çështje ka folur edhe drejtori ekzekutiv i klubit, Jan-Christian Dreesen. Në një intervistë për Abendzeitung, ai konfirmoi dëshirën e Bayernit për ta mbajtur Upamecanon në “Allianz Arena”.

“Është e njohur që ne duam t’ia zgjasim kontratën Upamecano-s dhe besoj se nuk kemi asgjë për të cilën duhet të turpërohemi sa i përket ofertës që i kemi bërë”, u shpreh Dreesen.

Ai theksoi gjithashtu se oferta reflekton paraqitjet e shkëlqyera të mbrojtësit këtë sezon. “Kjo pasqyron performancat e jashtëzakonshme që Upa ka treguar. Në vendime të tilla luajnë rol edhe faktorë të tjerë, jo vetëm aspekti financiar. Nuk duhet të bëhet fjalë për kursimin e çdo euroje të fundit”, shtoi ai.

Dreesen mbetet optimist se Bayern do të arrijë marrëveshje me lojtarin, duke ia lënë procesin drejtuesve sportivë të klubit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot