Yllin i Chelseat i vetëofrohet Milanit

- Bota Sot

Yllin i Chelseat i vetëofrohet Milanit

Mbrojtësi i Chelseat, Axel Disasi, është lidhur edhe një herë me një kalim tek AC Milan, me reprezentuesin francez që raportohet se i është ofruar kuqezinjve.

Sipas një raportimi të “Calciomercato”, që citon “La Gazzetta dello Sport”, Chelsea është e hapur ta lejojë qendërmbrojtësin të largohet me kushte të favorshme, duke e bërë marrëveshjen shumë të arritshme për gjigantët italianë.

Kjo nuk është hera e parë që emri i Disasi del në radarët e Milanit.

Gjatë afatit kalimtar veror, ai u konsiderua si një përforcim i mundshëm për mbrojtjen, por klubi vendosi përfundimisht të transferojë Koni De Winter.

Tani, me afrimin e merkatos së janarit, profili i Disasit është rikthyer sërish në tryezë nga ndërmjetësit.

Gatishmëria e Chelseat për të negociuar kushte të favorshme sugjeron se Milani mund ta sigurojë 26-vjeçarin në formë huazimi të lirë.

Për një Milan që kërkon të shtojë thellësi dhe forcë fizike në vijën e prapme, Disasi përfaqëson një opsion me përvojë, i cili ka rënë në hierarkinë e Stamford Bridge.

Edhe pse ende nuk ka një ofertë zyrtare, rruga që Milani të sigurojë shërbimet e Disasit është më e qartë se kurrë. Nëse kuqezinjtë vendosin të veprojnë, nuk pritet të hasin shumë rezistencë nga Londra.



Lexoni të gjitha në Bota Sot