Arteta kërkon më shumë pjekuri:

- Bota Sot

Arteta kërkon më shumë pjekuri:

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta ka insistuar se skuadra e tij duhet të mësojë ta “vrasë” ndeshjen në momentet kur është në epërsi, pavarësisht se londinezët u rikthyen në krye të Liga Premier pas fitores minimale 1-0 në udhëtim ndaj Evertonit.

Golin e vetëm të takimit e realizoi Viktor Gyokeres nga pika e penalltisë, duke shënuar për herë të parë që nga 1 nëntori, ndërsa Arsenali u shkëput përkohësisht me dy pikë në krye të tabelës ndaj Manchester Cityt.

Megjithatë, ashtu si fundjavën e kaluar kur iu desh një autogol në minutat shtesë për ta mposhtur Wolverhamptonin e fundit në tabelë, edhe këtë herë Arteta u detyrua të vuante deri në minutën e 96-të në “Goodison Park” ndaj një Evertoni të përgjysmuar nga mungesat.

“Diferenca duhej të ishte më e madhe. Ne duhet të mësojmë ta mbyllim ndeshjen kur jemi duke fituar”.

Kjo është hera e tretë në katër vitet e fundit që Arsenali e përfundon Ditën e Krishtlindjes në krye të tabelës së Liga Premier. Megjithatë, në dy rastet e mëparshme, londinezët u kapën dhe u tejkaluan nga një Manchester City dominues.

Skuadra e Pep Guardiolës ka fituar shtatë ndeshje radhazi në të gjitha garat, duke e ngushtuar ndjeshëm diferencën, e cila më herët kishte shkuar deri në shtatë pikë.

Pavarësisht kësaj, Arteta vlerësoi vazhdimësinë dhe paraqitjet e skuadrës së tij, duke theksuar se Arsenali vazhdon të shtyjë fort drejt titullit të parë kampion pas 22 vitesh pritje.

“Kjo më jep besim dhe siguri, për shkak të paraqitjeve dhe vazhdimësisë së skuadrës”.

“Kjo është shumë e vështirë për t’u arritur në këtë ligë dhe fakti që ekipi është vazhdimisht aty tregon shumë për nivelin dhe mentalitetin tonë”, nënvizoi ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot