Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, ka dërguar një letër urimi për Federatën e Futbollit të Kosovës me rastin e ceremonisë tradicionale “Laureatët 2025”, ku nderohen individët, klubet dhe institucionet që kanë kontribuar në zhvillimin e futbollit kosovar gjatë vitit.
Në letrën e tij drejtuar presidentit të FFK-së, Agim Ademi, presidenti Çeferin thekson: "Teksa viti 2025 po i afrohet fundit, është një moment i natyrshëm për të reflektuar mbi atë që është arritur dhe për të parë përpara, me të njëjtën energji pozitive, drejt mundësive që do të vijnë.
Në emër të UEFA-s, dhe në emrin tim personal, ju lutemi pranoni urimet tona më të përzemërta për ju dhe për Federatën e Futbollit të Kosovës për një vit 2026 të suksesshëm dhe frymëzues".
I pari i UEFA-s tutje ka përgëzuar presidentin Ademi për të arriturat e vitit që po lëmë pas.
"Dëshirojmë t’ju përgëzojmë ju dhe ekipin tuaj për punën e fortë dhe progresin e qëndrueshëm të realizuar gjatë vitit që po e lëmë pas.
Përkushtimi juaj për zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe për mbështetjen e të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë sport ka qenë i qartë, me ndikim dhe i vlerësuar gjerësisht në qarqet evropiane të futbollit", ka shtuar Çeferin.
Presidenti i UEFA-s tutje ka përmendur sfidat që presin Kombëtaren e Kosovës në muajin mars, teksa ka uruar për sukses.
"Ndërsa ndeshjet e ‘play-off’-it të muajit mars po afrohen dhe mundësia për t’u kualifikuar në Kupën e Botës po bëhet më e prekshme, ju urojmë shumë fat dhe që të jeni në formën tuaj më të mirë!
Ne presim me kënaqësi të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer edhe në vitet që vijnë. Le të na sjellin ato jo vetëm shëndet të mirë dhe momente të paharrueshme futbolli, por edhe më shumë mirëkuptim dhe mbi të gjitha, paqe", ka përfunduar Çeferin.