Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, iu drejtua të pranishmëve në ceremoninë “Laureatët 2025” përmes një videomesazhi, duke përgëzuar Federatën e Futbollit të Kosovës për një tjetër vit historik dhe frymëzues për futbollin e Kosovës .
“I nderuar President, i nderuar Agim, si dhe të gjithë ata që jetojnë dhe preken nga futbolli në Kosovën e mrekullueshme. Urime për një tjetër vit historik dhe frymëzues për futbollin kosovar. Ju keni vazhduar me përkushtim trashëgiminë e udhëheqësit tuaj të madh dhe legjendës së futbollit kosovar, të ndjerit Fadil Vokrri, duke e bërë një komb të ndihet krenar me paraqitjet e Kombëtares suaj të meshkujve”, tha Infantino.
Presidenti i FIFA-s theksoi se Kosova është vetëm dy ndeshje larg realizimit të ëndrrës për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar këtë si një arritje historike.
Deklarata e plotë e Infantinos
I nderuar President, i nderuar Agim,
si dhe të gjithë ata që jetojnë dhe preken nga futbolli në Kosovën e mrekullueshme
Urime të gjithëve për një tjetër vit historik dhe frymëzues për futbollin kosovar. Ju vërtet e keni vazhduar trashëgiminë e udhëheqësit tuaj të madh dhe legjendës së ndjerë, Fadil Vokrri, duke bërë që një komb i tërë të ndihet krenar për paraqitjet e fundit të Kombëtares suaj të meshkujve.
Sot, Kosova është vetëm dy ndeshje larg dëgjimit të himnit të saj dhe shikimit të flamurit të saj duke valëvitur me krenari në Kupën më të madhe të Botës të FIFA-s ndonjëherë, që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara në vitin 2026.
Viti i ardhshëm është i veçantë për përvjetorë të rëndësishëm. Ai shënon vitin tim të dhjetë si President i FIFA-s dhe vitin tuaj të dhjetë si federatë anëtare e FIFA-s, konfirmuar nga Kongresi i 66-të i FIFA-s, i mbajtur më 13 maj 2016 në Meksiko Siti.
Jam veçanërisht i impresionuar nga përkrahja që Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, i jep futbollit në mbarë vendin, diçka që e kam përjetuar personalisht gjatë vizitës sime në Kosovë në shtator 2022 dhe përsëri në tetor të këtij viti, kur pata nderin të pranoj Medaljen Presidenciale.
Komuniteti futbollistik është entuziazmuar nga paraqitjet e Kombëtares së meshkujve, e cila arriti në fazën “play-off” për Kupën e Botës dhe regjistroi renditjen më të mirë ndonjëherë në listën botërore të FIFA-s, pozitën e 80-të.
Megjithatë, ndërtimi mbi këto suksese kërkon vizionin e udhëheqësve të vërtetë –për fëmijët, për rekreacionin, për futbollin bazë, për djemtë dhe vajzat, për meshkujt dhe femrat, për shëndetin dhe për ligat vendore.
Dhe këtë vizion ju e keni dëshmuar në praktikë, ashtu siç e kemi parë edhe përmes bashkëpunimit tonë në projektet e FIFA-s. Është kënaqësi të shihet se si keni implementuar sistemin e referimit me ndihmën e videos (VAR) në Superligën e Futbollit të Kosovës. Me mbështetjen e fondeve të programit FIFA Forward, në tri cikle të tij, janë realizuar investime të rëndësishme në fusha artificiale dhe në përmirësimin e stadiumeve, përfshirë Qendrën Kombëtare Teknike të Federatës së Futbollit të Kosovës –investime që janë shfrytëzuar me dije dhe përkushtim.
Vajzat nën moshën 15-vjeçare kanë pasur mundësinë të garojnë falë Programit të Zhvillimit të Talenteve të FIFA-s. Ne kishim programin dhe, së bashku, e sollëm atë për të krijuar një ndryshim real për futbollin në Kosovë. Edhe fëmijët kanë përfituar nga këto iniciativa, duke filluar nga lansimi i programit FIFA Football for Schools në vitin 2024 e deri te të gjithë fituesit e çmimeve të laureatëve sonte.
Urime të gjithëve. Ju keni kaluar një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë, gjë që flet për pasurinë e madhe të talentit në këtë vend.
Jam krenar për të gjithë ju në Kosovë, sepse zemra e futbollit vërtet rreh këtu. Shijoni festimet dhe shpresoj t’ju shoh shumë shpejt në vitin 2026.
Ju uroj të gjithëve një Vit të Ri të shëndetshëm dhe të lumtur.
Ju faleminderit shumë.
Shihemi së shpejti.
Mirupafshim.