Trajneri i Napolit, Antonio Conte, beson se formati i ri i Superkupës së Italisë ka rritur edhe më shumë rëndësinë e saj, ndërsa ekipi i tij përgatitet të përballet me Bolognan në finale.
Duke folur për “Sport Mediaset” në prag të ndeshjes, me citime nga “TuttoMercatoWeb”, Conte theksoi se trofetë duhet të vendosen në fushë, duke përshëndetur gjithashtu vështirësinë shtesë të strukturës së re.
“Vendimi duhet të jepet në fushë,” tha ai.
“Më parë, Superkupa luhej midis fituesve të kampionatit dhe fituesve të Kupës së Italisë. Formati i ri është interesant, por e bën gjithçka më të vështirë, sepse ka një gjysmëfinale para finales. Ky trofe, siç është konceptuar tani, bëhet edhe më i rëndësishëm”, shtoi ai.
Conte gjithashtu reflektoi mbi kërkesat e përgatitjes për një finale, duke krahasuar përvojat e tij si lojtar dhe si trajner.
“Duhet të përgatitësh ndeshjen, përmes analizave me video dhe stërvitjes në fushë,” shpjegoi ai.
“Si lojtar, bëhej fjalë për të vendosur cilësinë tënde në shërbim të idesë. Si trajner, përgjegjësia është padyshim më e madhe”, u shpreh Conte.
Duke folur për ambiciet më të gjera të Napolit, Conte riafirmoi vizionin që kishte shpalosur që në ditën e mbërritjes së tij.
“Në ditën e prezantimit tim, thashë se është e drejtë që një vend si Napoli të ketë një ekip që mund të luftojë çdo vit, të jetë konkurrues, të shkaktojë probleme dhe të sfidojë për trofe,” tha ai.
“Po përpiqemi ta bëjmë këtë. Sezonin e kaluar përshpehtuam procesin në një mënyrë të papritur dhe për mua të paparashikuar, sepse fituam Scudetton”.
Megjithatë, ky sezon ka të bëjë me qëndrueshmërinë.
“Tani po vazhdojmë udhëtimin tonë në kampionat dhe kupa, duke u përpjekur të ndërtojmë themele që mund të zgjasin gjatë,” shtoi Conte.
Duke folur për penalltitë si një faktor të mundshëm, Conte shpjegoi si merren vendimet.
“Duhet të kuptosh kush i ekzekuton më mirë gjatë stërvitjes. Duhet të marrësh vendimin e duhur, ndonjëherë së bashku me lojtarin. Mund të ndodhë gjithashtu që dikush t’i godasë mirë në stërvitje, por presioni gjatë ndeshjes të bëhet shumë i madh”.
Në fund, Conte ofroi një reflektim më të gjerë mbi finalet.
“Së pari, duhet t’i arrish ato, dhe kjo është tashmë shumë e vështirë,” tha ai.
“Gjithmonë u them lojtarëve të mi se në fund të karrierës, njerëzit shohin atë që kanë fituar, pa marrë parasysh ekipin për të cilin kanë luajtur. Duhet të mendosh se nuk do të ketë një mundësi tjetër.”
Duke u mbështetur në përvojën e tij, ai përfundoi: “Kam fituar shumë, por kam humbur gjithashtu shumë finale. Ato humbje më dhanë një avantazh të brendshëm që shumë njerëz nuk e kuptojnë”.