Raportimet kontradiktore në media rreth gjendjes fizike të Jules Kounde kanë ngritur shqetësim te tifozët e Barcelonës, pas fitores 2-0 ndaj Villarrealit në La Liga. Disa burime kanë pretenduar se mbrojtësi francez ka pësuar një dëmtim serioz, ndërsa të tjera kanë minimizuar situatën, duke theksuar se problemi nuk është alarmues.
Për të sqaruar gjithçka, ka reaguar trajneri aktual i Barcelonës, Hansi Flick, i cili është rreshtuar qartë në anën e raporteve më optimiste. Tekniku gjerman ka dhënë sinjale pozitive, duke theksuar se gjendja e Koundé nuk duket shqetësuese.
“Mendoj se është në rregull. Ka pasur disa probleme gjatë tri-katër ditëve të fundit, sepse ka qenë i sëmurë”, ka deklaruar Flick. Ai ka shtuar se, nga ajo që ka parë, situata nuk është serioze:
“Nuk më duket një problem i madh. Kur doli nga loja, më tha se ndjeu vetëm një ngërç muskulor dhe shpresojmë që të jetë vetëm kaq”.
Këto fjalë të Flick-ut vijnë në një moment të rëndësishëm për Barcelonën, e cila po kalon një periudhë shumë pozitive dhe po kryeson garën në La Liga.
Megjithatë, disa raportime kanë sugjeruar se Koundé mund të mungojë në Superkupën e Spanjës që zhvillohet në janar, edhe pse aktualisht nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë.
Stafi mjekësor i Barcelonës do të vazhdojë ta monitorojë nga afër gjendjen e mbrojtësit francez, ndërsa ditët në vijim pritet të japin një pasqyrë më të qartë për disponueshmërinë e tij.
Për momentin, deklaratat e Flick-ut sjellin qetësi dhe optimizëm në kampin ‘blaugrana’.