Tragjedi në Ankara/ Rrëzohet avioni ku udhëtonte shefi i shtabit të ushtrisë libiane, humbin jetën të gjithë personat në bord

- Bota Sot

Tragjedi në Ankara/ Rrëzohet avioni ku udhëtonte shefi i shtabit të ushtrisë libiane, humbin jetën të gjithë personat në bord

Një avion me pesë persona në bord u zhduk nga radarët mbrëmjen e sotme, pasi u ngrit nga Aeroporti i Ankarasë. Mediat e huaja kanë konfirmuar se avioni në të cilin ndodhenin shefi i shtabit të ushtrisë së Libisë, Mohammed Ali Ahmed al-Haddad, dhe katër zyrtarë të tjerë libianë, është rrëzuar.

Kryeministri i Libisë, Abdul Hamid Dbeibeh tha në një deklaratë të gjithë personat që ishin në bord janë vrarë. Ai u shpreh se aksidenti i së martës ishte një tragjedi që ndodhi ndërsa zyrtarët libianë po ktheheshin nga një udhëtim nga Ankaraja.

“Kjo tragjedi e madhe është një humbje e madhe për kombin, establishmentin ushtarak dhe të gjithë popullin, pasi kemi humbur burra që i shërbyen vendit të tyre me sinqeritet dhe përkushtim dhe ishin një shembull i disiplinës, përgjegjësisë dhe angazhimit kombëtar”, u shpreh kreu i shtetit libian.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya ka reaguar lidhur me ngjarjen dhe tha se xhandarmëria turke kishte gjetur disa rrënoja të avionit por jo trupat e viktimave.

“Mbetjet e avionit të biznesit që u nis nga aeroporti Esenboga i Ankarasë për në Tripoli janë gjetur nga xhandarmëria turke afërsisht dy kilometra në jug të fshatit Kesikkavak në rrethin Haymana, 74 km nga Ankaraja", tha Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya në "X".

Yerlikaya tha më herët në X se avioni i biznesit Falcon 50 ishte ngritur në orën 20:10 (me orën turke) dhe kontakti me radion rreth 30 minuta më vonë. Ai tha se fluturimi kishte bërë një kërkesë për ulje emergjente ndërsa ndodhej mbi distriktin Haymana, por më pas kontaktet u shkëputën.

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë kishte njoftuar vizitën e shefit të shtabit të Libisë në Ankara këtë javë, duke thënë se ai ishte takuar me homologun e tij turk dhe komandantë të tjerë ushtarakë. Ankaraja ka lidhje të ngushta me qeverinë e mbështetur nga Kombet e Bashkuara në Tripoli, të cilës i ofron mbështetje ekonomike dhe ushtarake. 

 



Lexoni të gjitha në Bota Sot