Diplomaci me byrek e kos, ja takimi i pazakontë Vuçiç-Orban që vulosi “pazarin” për NIS

- Bota Sot

Diplomaci me byrek e kos, ja takimi i pazakontë Vuçiç-Orban që vulosi “pazarin” për NIS

Gjiganti rus i energjisë Gazprom ka nisur bisedime me kompaninë hungareze MOL për një shitje të mundshme të aksioneve të tij shumicë në NIS, rafinerinë e vetme të naftës në Serbi. Lajmi u bë i ditur dje nga presidenti serb Aleksandaër Vuçiç. Sipas Vuçiçit, përfaqësuesit e Gazpromit po zhvillojnë negociata me disa palë, mes tyre edhe MOL-in hungarez, ndërsa Beogradi nuk kundërshton një marrëveshje të tillë.

“Hungarezët janë miqtë tanë dhe ne nuk kemi asgjë kundër kësaj”, deklaroi Vuçiç para gazetarëve, duke shtuar se procesi duhet të përfundojë sa më shpejt, idealisht deri më 15 janar.

Ideja e një blerjeje të mundshme të NIS nga Hungaria lindi pas vizitës së fundit të kryeministrit hungarez Viktor Orban në Serbi, vizitës ku dy liderët përfunduan duke ngrënë byrek dhe më pas duke pirë verë, në një vreshtari në vend.

Diplomaci me byrek e kos

Kryeministri hungarez Viktor Orban u takua me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Suboticë në fund të nëntorit, ku temë diskutimi ishte pikërisht blerja e aksioneve të NIS nga kompania hungareze MOL. Mirëpo, takimi mes Orban dhe Vuçiç në Suboticë filloi mjaft informal, pasi të dy burrështetasit shkuan të konsumonin byrek.

Thonë se partneritetet strategjike diskutohen në tryeza të mëdha, por unë dhe Viktor Orban vendosëm ta bënim këtë me byrek të nxehtë, sepse miqësia midis Serbisë dhe Hungarisë është bërë prej kohësh më e fortë se të gjitha protokollet. Jam i lumtur që e freskuam këtë takim me një bisedë të mirë dhe një byrek edhe më të mirë”, shkroi Vuçiç në një postim në Facebook, duke bashkangjitur disa foto nga fabrika e birrës ‘Mićko’ në Suboticë.

Pas byrekut, Vuçiç dhe Orban shkuan në një vreshtari të famshme në zonë. Ata u ndalën në kantinën Zvonko Bogdan në Paliç, siç njoftoi Kurir.

“Në një atmosferë të këndshme, biseduam për projektet e përbashkëta, të ardhmen e marrëdhënieve tona dhe gjithçka që kemi ndërtuar së bashku prej vitesh. Jam i bindur se partneriteti dhe miqësia e qëndrueshme dhe e sinqertë midis Serbisë dhe Hungarisë do të vazhdojë t’u sjellë dobi popujve tanë dhe të gjithë rajonit”, shkroi Vuçiç në Instagram.

Përfshirja e Hungarisë

Përfshirja e Hungarisë nuk është thjesht altruiste. Orban dhe diplomati i tij më i lartë kanë qenë në atë që Bloomberg e përshkruan si një “turne vorbullash në Evropën Qendrore” me qëllim blerjen e rafinerive ruse të sanksionuara.

Me kompanitë ruse që përballen me presion në rritje për të shitur asetet e bëra praktikisht të paoperueshme nga sanksionet e SHBA-së, duke përfshirë rafineritë e Lukoil në Bullgari dhe Rumani, Hungaria sheh një mundësi për të zgjeruar ndikimin e saj dhe për të siguruar sigurinë e saj energjetike duke plotësuar boshllëkun e lënë nga largimi i interesave ruse.

Sanksionet

NIS është përfshirë në paketën e gjerë të sanksioneve të shpallura nga Shtetet e Bashkuara ndaj sektorit rus të naftës në janar, për shkak të luftës në Ukrainë. Megjithëse zbatimi i sanksioneve për kompaninë serbe u shty disa herë, ato hynë përfundimisht në fuqi më 8 tetor, duke shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e saj. Si pasojë e sanksioneve, bankat kanë ndaluar përpunimin e pagesave të NIS-it, ndërsa operatori kroat i tubacioneve JANAF ka ndërprerë furnizimin e rafinerisë me naftë bruto.

Aktualisht, Gazprom zotëron 11.3 për qind të aksioneve të NIS-it, ndërsa dega e tij e sanksionuar Gazprom Neft kontrollon 44.9 për qind. Qeveria e Serbisë ka 29.9 për qind të aksioneve, ndërsa pjesa e mbetur u përket aksionarëve të vegjël dhe punonjësve. Në të njëjtën kohë, Vuçiç konfirmoi se marrëveshja e furnizimit me gaz mes Serbisë dhe Rusisë do të zgjatet edhe për tre muaj, duke theksuar se Serbia mbetet një nga blerësit e paktë të mbetur të gazit natyror rus në Evropë.

Serbia, e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, vazhdon të përballet me presion nga vendet perëndimore për t’u harmonizuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, por deri tani nuk ka ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.



Lexoni të gjitha në Bota Sot