Nga Ajet Shosholli te Franco Foda, rrugëtimi drejt Kampionatit Botëror

- Bota Sot

Nga Ajet Shosholli te Franco Foda, rrugëtimi drejt Kampionatit Botëror

Ajet Shosholli dhe Franco Foda ishin të pranishëm në ceremoninë e shpalljes së më të mirëve nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Ishin përkrah njëri - tjetrit selektori i parë dhe selektori aktual i kombëtares së Kosovës.

Ishte një takim interesant mes selektorit të gjeneratës së sakrificës dhe selektorit që sot po bën historinë me Kosovën.

Në verën e vitit 1991, futbolli dhe sporti i Kosovës u pavarësuan nga sistemi ish-jugosllav. Ajet Shosholli u bë selektori i parë i kombëtares së Kosovës në futboll, duke e udhëhequr atë në periudhën 1991–1996, në kohët më të vështira për sportin e Kosovës.

Shosholli - trajner i trajnerëve në Kosovë. Ai ishte kryetrajner i gjeneratës së artë të Prishtinës në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë në edicionin 1984–1985. 

Me Vëllaznimin, ai shënoi sukseset më të mëdha në Ligën e Dytë Federative të ish-Jugosllavisë – grupi i Lindjes, në edicionet 1983–1984 dhe 1986–1987.

Një tjetër sukses historik i tij ishte ngritja e Shkëndijës së Tetovës për herë të parë në elitën e futbollit të Maqedonisë, në edicionin 1995–1996.

Kombëtarja e Kosovës, nën drejtimin e Ajet Shoshollit, zhvilloi ndeshjen e saj të parë më 5 prill 1992, duke shënuar fitore me rezultat 4:0 ndaj Shkëndijës së Tetovës, në një ndeshje miqësore historike. 

Një vit më vonë, më 14 shkurt 1993, Kosova luajti në Tiranë ndaj Shqipërisë, ku kombëtarja shqiptare fitoi me rezultat 3:1 në një ndeshje revyale.

Shosholli - trajner i gjeneratës së artë, i gjeneratës së sakrificës dhe i periudhës së pasluftës. Rrugëtimi i kombëtares së Kosovës ishte sikur në teh të shpatës, i përndjekur e i kërcënuar nga regjimi serb.

Sot, Kosova është më afër se kurrë realizimit të një ëndrre të madhe. Kombëtarja është në rrugën drejt Kampionatit Botëror, ndërsa Franco Foda po bën një punë të jashtëzakonshme si selektor. 

Dy fitore e ndajnë Kosovën nga mrekullia. Dy fitore larg historisë, kualifikimit në Kampionatin Botëror.



Lexoni të gjitha në Bota Sot