De Laurentiis kritikon qeverinë

- Bota Sot

De Laurentiis kritikon qeverinë

Aurelio De Laurentiis ka shpërthyer sërish me deklarata të forta ndaj institucioneve, duke kritikuar ashpër mënyrën se si, sipas tij, qeveria dhe sistemi drejtues kanë trajtuar futbollin italian për dekada me radhë.

Presidenti i Napolit, gjatë një interviste në Radio CRC, ka dhënë një panoramë shumë kritike për gjendjen aktuale të sportit më të dashur në Itali.

“Ne kemi një sistem mesjetar, me ‘feudalë’ të mëdhenj që komandojnë futbollin dhe mendojnë vetëm se si të rizgjidhen me ide që të bëjnë për të qeshur”, u shpreh De Laurentiis.

Sipas tij, problemi kryesor është se të gjithë duan të shtojnë rregulla dhe detyrime, por askush nuk dëshiron të heqë asgjë.

Kjo, në fund, dëmton klubet, të cilat paguajnë lojtarët dhe më pas i shohin ata të dërgohen me lehtësi të pabesueshme në kombëtare, shpesh pa u marrë parasysh rreziku i dëmtimeve.

Presidenti i Napolit ka theksuar se duhet të jenë klubet ato që vendosin nëse një lojtar mund ose nuk mund të grumbullohet me përfaqësuesen. “Institucioneve nuk u intereson aspak mbrojtja e tifozit, për të cilin kampionati kombëtar ka një vlerë reale dhe është shpesh shpëtimi pas një jave të vështirë”, ka shtuar ai.

De Laurentiis ka kujtuar gjithashtu se klubet janë shoqëri kapitali dhe nuk mund të vazhdojnë të trajtohen si struktura publike, siç ndodhte vite më parë.

Ai ka kritikuar hapur ligje si ‘Melandri’ dhe ka kërkuar liri të plotë sipërmarrjeje për të ndërtuar një futboll modern dhe konkurrues.

“Qeveria, prej 30 vitesh, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka vendosur pengesa, duke e penguar futbollin italian të jetë i fortë, i buzëqeshur dhe fitues në Europë”, përfundoi numri një i Napolit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot